Ana e errët

“Më kthe dhuratat, do t’i var fotot te shtylla e shkollës”. Si emigranti shantazhon 15 vjeçaren

Një 15-vjeçare që hyri në lidhje me një emigrant në Angli po kërcënohet prej ditësh nga ish i dashuri që i bën asaj presion përmes rrjeteve sociale. Rasti u regjistrua në komisariatin e Farkës bëjnë me dije burime të gazetës Si që sqarojnë se e mitura vendosi ta ndërpresë historinë, por pas këtij vendimi ish i dashuri pretendon që ka investuar tek ajo përmes dhuratave të shumta dhe ndaj ajo duhet t’i kthejë të gjitha. Në të kundërt fotografitë e vajzës do të shpërndahen në ambientet e jashtme të shkollës private që vajza po ndjek.

Denoncimi u krye nga e ëma e 15-vjeçares pohojnë burimet e sigurta të gazetës Si sipas të cilave janë administruar një sërë komunikimesh në Whats App dhe Instagram ku i riu paralajmëron se ka nisur numërimi mbrapsht i kohës dhe në rast mos reagimi ai do fillojë të veprojë. Por kërcënimi për dhuratat shikohet nga policia si një justifikim, duke qenë se nga shikimi i deritanishëm i komunikimeve virtuale kuptohet që i riu po vepron në këtë formë pasi u braktis nga e mitura.

“F.G. ishte i fejuar me vajzën që është 15 vjeçe. Ai po na kërcënon të dyjave duke postuar fotografi gjatë kohës që kanë qenë të fejuar dhe shantazhon- në qoftëse ju nuk më ktheni lekët që kam shpenzuar me vajzën tuaj unë do publikoj fotografitë”. Por problemi është kthyer në një ankth për vajzën dhe të ëmën, kur ish i dashuri ka hapur një llogari në instagram dhe prej aty ka bërë followers me nxënësit e shkollës ku 15-vjeçarja ndjek arsimimin. “Ai ju ka shpërndarë foto të vajzës disa nxënësve. Ata e kanë marrë vesh pasi dy djem në shkollë i kanë thënë sime bije që kanë foto intime të sajat që ua ka dërguar dikush nga instagrami”.

E terrorizuar e mitura ka kërkuar ndihmë nga e ëma që ka folur me ish partnerin e të bijës, i cili më herët për shkak të dashurisë së vajzës ishte pranuar dhe lidhja e tyre kishte qenë për pak muaj familjare. “I shkrova ish të fejuarit të sime bije dhe mu përgjigj, e kam ndarë mendjen, nëse unë futem në burg t’i bëj gati arkivolin e vajzës”.

Policia pohon për gazetën Si se kërcënimet janë shpeshtuar 10 ditët e fundit dhe sipas këqyrjes me procesverbal rezulton se fillimisht çifti qëndroi i lidhur për gjashtë muaj. E mitura tha një burim i gazetës Si u nda me F. G një vit më parë me këmbënguljen e familjarëve të saj, të cilët edhe pse e kishin pranuar të dashurin e saj si të fejuar, ndërkohë ishin të shqetësuar për moshën e tij të madhe. “Ai nuk kishte informacion që vajza ishte nën moshë. Madje gjatë lidhjes të dy ata duheshin aq shumë sa hapën një llogari instagrami të përbashkët. Por me kalimin e kohës meqenëse djali është emigrant në Londër ime bijë filloi të kuptojë se primare ishte shkolla”, shton e ëma. Kur 15-vjeçarja i dha fund lidhjes, veprimi i saj i parë ishte mbyllja e përbashkët e instagramit dhe kjo e ka nxehur keqazi të riun. “Ai hapi një adresë tjetër instagrami me emrin e time bije. Më pas më telefonoi dhe më tha - kam paguar dy djem nga 500 paund, u kam thënë do t’i lani këto fotografi dhe do t’i varni tek shtyllat e shkollës”.

Policia pranon se pas denoncimit ka dërguar pranë laboratorit për këqyrje të gjitha llogaritë virtuale të hapura nga i dashuri i zhgënjyer, i cili ndonëse kërkon t’i kthehen pas dhuratat, nuk është i qartë se sa është vlera që ai ka shpenzuar për hatër të dashurisë. Kjo çështje po mbahet nën mbikëqyrjen e njësisë kundër krimeve kompjuterike për veprat e përndjekjes, dhe ndërhyrje të padrejtë në jetën private.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë