Vende dhe Udhetime

Me historitë “e freskëta” dunavatase

Nga Edmond Prifti - Diku aty ku ndahet lagja e vjetër gjirokastrite e Manalatit, mbi ato avlli (që të kujtojnë filmat me partizanë) që lidhen me Dunavatin e I-rë, bujtëm për disa orë në shtëpinë më se 300-vjeçare të çiftit simpatik të Doreta e Saliko Sejdos.

Në oborrin e shtëpisë 300-vjeçare ka filluar të ziejë rakia

Tek ajo që mund të quhet “derë”, na pret Salikoja. Të dy, ajo rreth të 70-ve dhe ai te të 80-at, janë një binom i mrekullueshëm i të qenit një i vetëm, - siç i themi ne “tenxherja-kapakun”, - apo siç thotë vetë Doreta: “Ai me duar, e unë me nikoqirllëk”. Salikonë, bashkëshortin e saj, pas nxjerrjes së duhanit e varjes për t’u tharë, në një nga dhomat e katit të parë, e gjejmë duke përgatitur rakinë, për atë që Salikos “80 litrat e sivjetshme”, i duken tejet pak. “Erdha me dy miq të mitë... se këta pijanecë janë, e dëgjova ke nxjerrë rakinë”, na prezanton miku ynë me të. “Të vijnë të pinë sa të ngordhin”, na drejtohet Salikoja.

Bashkëshortja e tij, Doreta, me origjinë nga Hoçishti, u martua shumë vite të shkuara në Gjirokastër, me Salikon, e jeton në këtë shtëpi të stërmadhe, të mbushur plot me histori. E është Salikoja, ai që nuk e ndan rakinë e nxjerrë vetë nga dora, që na i shpalosën një e nga një ato copëza historie teksa “e ngacmojmë pakëz”, e një prej tyre edhe ajo e katit të tretë të kësaj shtëpie të stërlashtë, ku ka bujtur diku rreth 100 e ca vite më parë, vetë Çerçiz Topulli (Çeçoja).

Saliko Sejdo

Ndonëse ajo është ndryshuar së tepërmi, së paku nga pamja e jashtme, siç thotë vetë Salikoja, ajo sot është “e ftohtë” për ta... “Kurbeti”, siç thotë Doreta, u ka marrë dy djemtë e tyre. “I shohim nga Skype, por nuk i prekim dot me dorë”, thotë Doreta, për gazetën “Si”. Pengu i tyre (më shumë i Doretës) është tashmë ta martojnë edhe “të voglin”, 36-vjeçarin e kësaj shtëpie...

Mos merrni fukaresha!”

Teksa zëmë vend pranë tavolinës në pjesën e bahçes para shtëpisë, që sa hap e mbyll sytë shtrohet nga Doreta, Saliko nis e ngrihet herë pas here për të parë kazanin e rakisë, disa metra më tutje.

Patëllxhan turshi dhe raki e shtruar nga Doreta

Ajo nis e bisedon se kanë mbetur vetëm, “e mirë, që jemi me këmbë e duar”.

“Jam edhe një çikë karaksëze dhe gjithë ditën në këmbë rri”. Po pa fëmijët, si ia bëni? “Na ka dërguar i madhi një Skype (iPad) dhe nxjerrim dufin me ta”. Kur e pyet se je mësuar edhe me teknologjinë, thotë, “ç’të bëjmë! Sheh me sy dhe nuk i prek dot. Pleqërova edhe plakën 103 vjeç...Ta mbledh edhe të voglin, tashmë. Edhe të madhin 42 vjeç, ‘e ndreqa’”, thotë ajo. “Kurbeti këto ka. Jo se janë sakatë, por këtë e ka kurbeti. Duan shqiptare, ç’t’i bësh. Jo se këto tonat janë më të mira. Këto janë zagare!”... thotë Doreta, teksa ne ia plasim së qeshurës, me shprehjen e saj. “Edhe ju”, na drejtohet Doreta, pasi mëson se jemi ende beqarë, “merrni dikë që është në gjendje që të dallojë të bardhën nga të zeza se, ajo që është në gjendje e di këtë, kurse këto fukareshat bien në thela”.

Doreta duke na rrëfyer për femrat e sotme shqiptare

Më pas vjen burri i shtëpisë, i cili kujdesej herë pas here për rakinë e shtëpisë, e thotë, “ik more ti se do na deskretitoç fare”, duke parë se Doreta, po fliste “pa teklif” para kamerës. Siç mësojmë nga çifti me shpirt të ri, çuni i tyre, Eri, kishte pasur një histori mjaft të bukur, e rrëfyer me humor si një aktor i vërtetë nga Salikoja, kur ai ishte pothuajse 4 vjeç, e i pshurri të atit nga kati i tretë i shtëpisë, ndërsa Saliko i mbërtheu kanatet e dritareve me perona, e nuk i hapi për 10 vite rresht.

 “Naftë s’kishte, e naftë nxori Enveri”...

Kur e pyet Salikon, - teksa ulet, fillon e dredh një duhan, e pasi bëjmë gëzuar me rakinë e shtëpisë të saponxjerrë, - se si e përjetuat vdekjen e Enverit dikur, thotë se, “e pritëm me ulërima, me ulërima... gazmore”. “Ngordhi, tha mamaja”, ta kthen Salikoja. Befas rikujtohet dhe thotë, “Ç’e do mo, ik aman. Ç’na i kujton bajgën e mu***, se na bëri që të merrnim malet”. E teksa mediton paksa, rrëfen më tej se “naftë nuk kishte në Shqipëri, e naftë nxori Enveri”. E një miku ynë i ulur në tavolinë së bashku me ne, duke mos e kapur fare atë çast ironinë e tij, i kthehet Salikos duke i thënë se “nafta është zbuluar edhe më herët nga austriakët, e italianët”... “Ç’naftë more?”, ia kthen Saliko, “naftën, që na i bëri neve!”. Më pas, biseda merr një tjetër rrjedhë, teksa herë pas here sikur ia bën me sy Doretës, kur biseda fillon e drejtohet për tek i ati i Enverit, që Saliko na thotë se “...e kishte babanë, të qafsha moj shegë çame”. “Llafe janë llafe”, - na i kthen me ironi Saliko, duke nënkuptuar se ai që dimë ne, nuk ishte i ati i vërtetë, e duke shtuar se, “sa zbukurime... merr sot fjalori”.  Kur të thotë se, s’para i ka qejf xhirimet me kamera, fillon e nënqesh, e duket se edhe sytë brenda atyre syzeve të errëta, pas operacionit të suksesshëm në sy, i buzëqeshin. Më pas, si për ta mbyllur po me humor, teksa Doreta e ngacmon për tallonët dikur, që shumë prej atyre që e lexojnë këtë shkrim, mbase s’i kanë provuar kurrë, Saliko shprehet me ironi se, “komunizmi ishte gjë e bukur, me tallon dritat, tallon drush, fasulet, mishi, etj.

Talloni na është bërë në gjumë. Pse thoshin, të humbtë talloni?! Një copë letër ishte, por ajo ishte baras me bukën. Të humbte talloni, rrije pa mish një muaj”.

“Çeço kopani”

“I goditur ishte pakëz”, thotë Saliko, për Çerçiz Topullin, teksa rrëfen se “bota bënte vrasjet me majën e lapsit”, thotë ai, brenda shakasë, pavarësisht se disa mund ta shohin “shtrembër” këtë mendim të tijin.

“Erdhi këtu njëherë”, vijon bisedën Saliko nga kujtimet e babait dhe gjyshit të tij, teksa tregon me gisht katin e tretë të shtëpisë. “Kishin të bënin, nga ana e grave tona... Shtëpia ka qenë më e dalë asokohe. Erdhi Çeçoja këtu, e ndërsa pinte, i tha gjyshit: Ti i martuar i rregulluar, por unë ngela pa martuar”. “Pihu dhe u dend, e deshte të hidhej këteja, nga balli i shtëpisë. Kanë qenë 12 vëllezër ata... Në film, e ka pasur zërin tejet të ëmbël... Që nga emri e kishte zërin e trashë...”, ndërsa një nga dy miqtë e mi, hapën sekuenca të filmit “Liri a vdekje”. Aty më pas, muhabeti u la përgjysmë pasi filluan debatet historike, e roli i Çeços sipas historisë syshkruar dhe të lexuar diku nëpër “qitapët e historisë”...

Vizitë në shtëpinë 300-vjeçare

Më tej, zonja e shtëpisë teksa ishim kureshtarë të shikonim në brendësi shtëpinë 300-vjeçare, na sodit nëpër mjediset e saj, duke na thënë se poshtë dyshemeja ka qenë me gur të zi, ndërsa më tej na tregon cisternën e ujit (stera), apo dhomën e duhanit që Saliko pasi e kishte prerë e kishte vendosur të thahej... por në një nga dhomat nuk harron të na tregojë edhe foton e plakës (mamasë së saj), 103-vjeçare, që jetoi me ta për shumë vite.

Dhoma e katit të parë ku Saliko kishte prerë duhanin

Shtëpia është tejet “elastike”, teksa ecim përgjatë dhomave të saj. “E banjën, ai e ka bërë vetë”, - thotë Doreta për Salikon.

Më tej, zonja e shtëpisë na ngjit në katin e tretë, apo atë që quhet dhoma e burrave, ku dikur Çeçoja donte të hidhej nga kati i tretë, kur dëgjonte se si të tjerët ishin trashëguar dhe ai luftonte me turkun, ende maleve.

Dhoma e katit të tretë

Në kohë të Luftës së Dytë, na shpjegon zonja, “ka rënë bomba. Vajtën gjermanët te një gjitoni ynë dhe kërkuan për ushqime, ndërkohë që ai i thotë për shtëpinë tonë se, sipas tij ishim në gjendje të mirë. E njëherë sa e morën vesh, gjermanët kujtuan se strehonim edhe partizanë e erdhën aeroplanët, duke e bombarduar. Kur jam martuar unë...”, vijon Doreta, “gur e mur, ka qenë”, ndërsa ecim për poshtë, në katin e parë majtas, e na tregon katoqin apo haurin, që e kanë kthyer sot në një dhomëz të vogël, atje ku Salikoja “fsheh pasurinë e tij”, rakinë...që “80 qilot e futura në bidonë plastikë, Salikoja e quan pak”. Pas këtij udhëtimi të këndshëm, një tavoline të shtruar plot, e një qëndrimi prej më se 2 orësh, Salikoja na i mbush edhe nga një gotë tjetër, ndërsa na tregon disa sekrete pranë kazanit.

Saliko duke na rrëfyer disa sekrete të rakisë



Pas një copëz here na prezanton “si tre turistë”, para dy dhive të tij kureshtare, që s’ia mësuam as emrin...

Dy dhitë kurioze të Salikos

aty ku i premtojmë që do të kthehemi sërish për festat e nëntorit, ndërsa Saliko “kërkon të na diskreditojë”, duke e mbyllur se, “po u nisët me festa, mos hajdeni fare, më mirë!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë