Ngjarje

“Më fal” pas 78 vitesh!

Nga Aleksandër Marku-Për herë të parë pas gati tetë dekadash një president italian, jo vetëm që do të jetë i pranishëm në paradën ushtarake tradicionale të 28 Tetorit në Selanik, dita kur Greqia i tha “Jo” Italisë fashiste në vitin 1940,por pikërisht për këtë luftë që Roma i shpalli Athinës,Sergio Mattarella do t’u thotë publikisht edhe një “Më fal” të vonuar grekëve.

Mattarella i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të tij grek Pavlopoulos,për të marrë pjesë në paradën ushtarake  me të cilën grekët nderrojnë të rënët në luftën kundër Musolinit,një luftë e cila u zhvillua në një periudhë të caktuar edhe në territorin shqiptar.

Me këtë rast presidenti italian do të kërkojë  zyrtarisht falje në emër të vendit të tij për vuajtjet e shkaktuara nga kjo luftë dhe pasojat e saj tek popullit grek.

Dy presidentët pas paradës në Selanik do të nisen me avionin presidencial drejt ishullit Qefaloni, ku do të kryejnë homazhe në kujtimin e mijëra ushtarëve të bllokuar të divizionit "AQUA" që refuzuan të dorëzonin armët e tyre dhe u vranë  duke luftuar trimërisht në një nga betejat më vdekjeprurëse kundër trupave gjermane, menjëherë pas kapitullimit të Italisë.

Mattarella e Pavlopoulos pas vendosjes së kurorave me lule pranë “Trupave të Armatës së Tretë” në Selanik,do të qëndrojnë së bashku  në podiumin  e paradës ushtarake në një prej bulevardeve kryesore të qytetit.

Pas Qefalonisë, Mattarella do të kthehet në Romë nëpërmjet Korfuzit. Sergio Mattarella, prej vitit 2015, në krye të shtetit, një profesor i të drejtës ndërkombëtare, deputet dhe ministër i partisë Demokristiane , përbën sot pikën më të qëndrueshme në Italinë e zhytur në një destabilitet politik,ndërsa edhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian janë tepër të lëkundura.

Familja e tij ka një traditë të gjatë në jetën publike. Vëllai i tij Piersanti, gjykatës dhe kryetar i qeverisë rajonale të Sicilisë, me veprimtari intensive kundër krimit të organizuar, u vra në janar 1980 nga mafia në Palermo.

Parada e Selanikut pritet me interes, jo vetëm për pjesëmarrjen e tij, por edhe për faktin  në se do të ketë ndonjë protestë nga grupet që kundërshtojnë Marrëveshjen e Prespës, ndaj dhe policia ka marrë masa të rrepta.

Në vitin 2011, për herë të parë në historinë e Greqisë së pasluftës , është anuluar në Selanik kjo paradë ushtarake e festës kombëtare, për shkak të protestave të qytetarëve kundër politikave qeveritare dhe masave të ashpra të kursimit që i imponuan Greqisë kreditorët e huaj si kusht për paketat e ndihmave financiare. Protestuesit e indinjuar hidhnin parulla ndaj politikanëve grekë dhe gjendjes ekonomike në të cilën ndodhej vendi .

“Nuk pranoj të më quajnë tradhëtar dhe më vjen keq për këtë pakicë njerëzish që nuk respektojnë historinë”–deklaroi presidenti i atëhershëm Karolos Papulias dhe u detyrua të largohet duke anulluar paradën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë