Ana e errët

‘Më bëj nder me telefonin… Po vjen OFL” – Njërit i grabisin 40 mln lek, tjetrin e ftojnë për kafe dhe e masakrojnë

Telefoni është mjet thelbësisht personal. Kjo është njëra nga arsyet se përse ekzistojnë edhe kodet e sigurisë në këto pajisje dhe ligje e rregulla që ndalojnë hapje e telefonave nga persona veç pronarëve të tyre pa një urdhër, apo vendim prokurorie.

Por, shumë shqiptarë e japin me mirëbesim telefonin te miq, apo të njohur që u ‘kërkojnë nder’ sa për një telefonatë. Nderi ndonjëherë kthehet në telashe, si në dy rastet që sjell gazeta Si më poshtë.

Kur operacioni forca e ligjit, njohur shkurt si OFL po shfaqej ngado nëpër biznese të dyshuarish tek të cilët lidhej shiriti i policisë, një i ri në Shqipëri e ka përdorur emrin e kësaj njësie për të trembur një bashkëqytetar.

Sipas prokurorisë së Vlorës që pritet ta dërgojë në gjykim të riun me incialet M.A, ai gjendet në paraburgim prej një viti. Dosja ndaj tij e proceduar nga policia lokale dhe më pas e dorëzuar për hetime më të detajuara në prokurorinë e qytetit bregdetar e tregon këtë gjë: përdorimin e emrit të OFL për të vjedhur.

Sipas akuzës së prokurorisë së këtij qyteti thënë për gazetën Si “nga hetimet paraprake, ka rezultuar se personi nën hetim M.A. i vodhi me dhunë gjatë 2021 shtetasit K.M një vlerë monetare prej 40 milion lekësh të biznesit ku ai punonte.”

Ky shtetas sipas hetimeve të mbajtura gjatë këtyre muajve tregon se mori një mesash ku njoftohej se ishte pronari i biznesit ku viktima ishte i punësuar .

“Merr paratë prej aty dhe dil nga biznesi sa më shpejt pasi është nisur OFL nga Tirana”, i shkroi grabitësi punëtorit , që është bindur menjëherë nga urdhëri i “pronarit” të rremë. Hetimet tregojnë se pasi punonjësi K.M doli nga biznesi së bashku me paratë “i ka dalë përballë një shtetas me kapele dhe maskë, i cili pas konfliktit i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, i ka marrë shumën e lekëve. “Pas hetimeve rezulton se, autor i kësaj vepre penale është shtetasi M.A”, theksohet në fashikullin e akuzës së Vlorës.

I riu i moshës 30 vjeç ka paraqitur disa herë kërkesë para gjykatës për tu liruar por nuk ja ka dalë thonë burimet e gazetës Si. Ndërkohë që ende as policia dhe as prokuroria nuk kanë identifikuar bashkëpuntorët e tij në këtë ngjarje.

Por, Policia e Shtetit i thotë gazetës Si se përdorimi i telefonit për të dërguar në kurth persona të tjerë është një nga metodat më të rëndomta dhe kryhet ose nga telefona të vjedhur dhe në rastin më të cuditshëm duke kërkuar përdorimin e telefonit nga i afërmi, apo një mik i ‘viktimës” sa për një telefonatë.
Kështu i ndodhi shtetasit R.K., nga një fshat i Vlorës, përmend policia për gazetën Si, duke shtuar se si ai u paraqit në stacionin e Orikumi pasi duke ecur në këmbë në rrugën tek kisha “Marimoj”, nga një makinë tip “Mercedez Benz” kanë dalë pesë persona të maskuar, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij duke e goditur me sende të forta në kokë dhe trup.

Policia shton se “lidhur me këtë ngjarje ai ka deklaruar se nuk ka pas hasmëri me asnjë person, se një kushëri i largët i tij, A. X., atë ditë i ka dërguar mesazh në aplikacionin “ËhatsApp” me përmbajtje “ a do dalësh sot për ecje apo do të flesh”, një mesazh që i dëmtuari pretendoi se e kishte fshirë.

Por, ndërsa policia nuk mundi dot të sigurojë autorët që e rrahën teksa kushëriri i tij nuk ka treguar asnjë të dhënë me interes për hetimin, shërbimet e policisë njoftohen një muaj më pas dhe konkretisht në prill 2021 për një shpërtim në kompleksin e pallateve në Orikum.

“Shpërthimi ndodhi në derën e kushëririt të tij A.X., që është nën arrest shtëpiak në kuadër të këtij procedimi deklarojnë”, burimet e gazetës Si.

Bëhet me dije se kushëriri ka dëshmuar se ka dyshimet tek kushëriri R.K., për shkak të rrahjes së tij dhe mesazhit që ai këmbëngul se ju nis nga telefoni i tij.

I dëmtuari pas rrahjes dhe kur doli nga policia i shkroi kushëririt “Dajo, ti e di se kush ma ka bërë dhe po s’m’i tregove emrat ke ti gisht në këtë punë”. Burimet e policisë bëjnë me dije se A.X., ishte telefonuar nga një mik përpara shpërthimit në banesë, i cili i kishte kërkuar takim duke i thënë: “Kushëriri yt R.K., më ka bërë ofertë për të të vrarë .

“Nuk e besova, por gjithsesi i thashë regjistroje dhe në atë bisedë midis R.K. dhe T. Dëgjova që kushëriri i thoshte - hiqe qafe, s’dua ta shikoj më! Sa lekë do qe ta heqësh qafe?”. T. i kërkon në këtë bisedë shumën prej 50.000 Euro për ta vrarë, por ai kushëriri bën pazar duke ja prerë se janë shumë dhe do të japë vetëm 10.000 Euro.

Edhe dëshmitari i kontraktuar për të vrarë pranon pranë autoriteteve lokale në Vlorë se personi nën hetim i ka kërkuar që kundrejt pagesës të kryente vrasjen e shtetasit A. X. dhe pasi është bindur për vendosmërinë e tij për kryerjen e këtij veprimi, e ka vënë në dijeni shënjestrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë