Shendet

Me ajër të pastër, 67,000 raste më pak në vit të astmës tek fëmijët

Pothuajse 67,000 raste të reja të astmës tek fëmijët në 18 vende europiane mund të parandalohen çdo vit nëse nivelet e grimcave të imëta që ndotin ajrin ulen në nivelet e rekomanduara, sugjeron hulumtimi më i fundit.

Studimi i bashkohet një sërë studimeve të ngjashme në rritje për ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut. Një studim i publikuar në muajin prill vlerësonte se 4 milion raste të reja të astmës në vit në nivel global, në mesin e tyre fëmijë të moshës nga një deri në 18 erdhën si rezultat i niveleve të dioksidit të azotit (NO2) në ajër.

Studimi i fundit, i cili u përqëndrua në diagnozat e astmës tek fëmijët e moshës nga një deri në 14 vjeç, shqyrtoi përbërësit e ajrit toksik, duke përfshirë edhe grimcat e imëta të njohura si PM2.5 si dhe NO2, të dyja lëshohen nga automjetet në rrugë.

"Një pjesë e konsiderueshme e astmës tek fëmijët është shkaktuar nga ndotja e ajrit, veçanërisht nga grimcat PM2.5" tha Dr Mark Nieuëenhuijsen, nga Instituti i Shëndetit Global të Barcelonës (ISGlobal) dhe njëkohësisht bashkëautor i studimit.

Studimi tregon se mijëra raste të reja të astmës mund të parandalohen çdo vit duke iu përmbajtur udhëzimeve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), por Nieuwenhuijsen dhe kolegët e tij shkruajnë se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Faktet sugjerojnë se nuk ka një nivel pragu kur bëhet fjalë për ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndet, thonë ata.

Duke shkruar në “European Respiratory Journal”, ekipi përshkruan se si ata e përqëndruan studimin e tyre në 18 vende europiane, duke përfshirë Francën, Danimarkën, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorën një sërë të dhënash duke përfshirë shifrat e nivelit kombëtar për incidencën e astmës tek fëmijët, vlerësimet e shpërndarjes së fëmijëve nëpër vendet dhe nivelet e ndotjes ndaj të cilave ata ekspozohen.

Ndotja nga automjetet rezulton në 4 milion raste të astmës tek fëmijëve në vit.
Në total, vlerësimet e ekipit përfshijnë më shumë se 63.4 milion fëmijë.

Sipas udhëzimeve të OBSH-së, nivelet e PM2.5 nuk duhet të kalojnë një mesatare vjetore prej 10 μg / m3, dhe nivelet e NO2 nuk duhet të kalojnë një mesatare vjetore prej 40 μg / m3.
Studimi i ri sugjeron që, nëse 8 vendet në studim do të qëndronin brenda këtyre kufijve për PM2.5, 66.600 raste të reja të astmës tek fëmijët, që përbëjnë 11% të diagnostikimeve të reja, do të parandaloheshin çdo vit, rreth 10,400 prej të cilave do të ishin në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth 2,400 raste të reja do të parandaloheshin çdo vit në të 18 vendet e marra në studim, nëse kufijtë e OBSH për NO2 nuk do të tejkaloheshin.

Ekipi gjeti gjatë studimit efekte edhe më të mëdha kur ata vendosën nivelet e ndotjes së ajrit në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në studime - një lloj "mase prejardhjeje" e cila u regjistrua në Gjermani për PM2.5 dhe në Norvegji për NO2.
Vlerësimet sugjerojnë që një e treta e rasteve të reja të astmës tek fëmijët (rreth 190,000 në vit) do të parandalohej nëse PM2.5 binte në nivelet e sugjeruara në të 18 vendet, dhe 23% e rasteve do të parandaloheshin nëse NO2 zvogëlohej në nivelet më të ulëta të regjistruara.

"Nuk është me të vërtetë realiste për momentin të zbresësh në këto nivele, por thjesht jepet një vlerësim i supozuar se sa raste në të vërtetë mund t'i atribuohen këtyre ndotësve", tha Nieuwenhuijsen.

"Ajo që është e qartë nga analiza jonë është se standardet aktuale të OBSH-së nuk janë aq të rrepta për të mbrojtur fëmijët ndaj astmës," tha ai, duke përmendur se udhëzimet e OBSH ishin aktualisht në shqyrtim.

Prof Stephen Holgate, një këshilltar special për cilësinë e ajrit pranë Kolegjit Mbretëror të Mjekëve, tha që studimi tregon se respektimi i limiteve të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetit për ndotjen e ajrit do të krijonte një "përfitim masiv shëndetësor".
"Ky studim fillestar konfirmon ndikimin masiv që ndotja e ajrit ka në astmën tek fëmijët, jo vetëm në përkeqësimin tek ata që tashmë vuajnë prej saj, por edhe tek diagnostikimi i rasteve të reja," tha ai, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar kishte një nga prevalencat më të larta të astmës në të gjithë botën.

Dr Susan Anenberg nga Universiteti Xhorxh Uashington, njëkohësisht bashkautore e studimit global të botuar në prill, tha se hulumtimi i fundit ishte një tregues tjetër i dëmtimit të ndotjes së ajrit që mund të bënte keq për shëndetin publik. "Pothuajse askush në planetin Tokë nuk ka luksin e ajrit të pastër," tha ajo.

“Lajmi i mirë është se ka shumë mënyra për të parandaluar fëmijët nga astma për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit. Mund të nxitet pedalimi, ecja ose vrapimin nëpër vende të gjelbërauara, për shembull'.

Dr Penny Woods, shefi ekzekutiv i Fondacionit Britanik Lung, tha se mënyra më e mirë për të trajtuar ndotjen e ajrit urban ishte duke zvogëluar automjetet më ndotëse në zonat me ajër të pastër.

"Ne gjithashtu kemi nevojë që qeveritë të angazhohet urgjentisht në arritjen e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit për grimcat e imëta, llojin më të rrezikshëm të ndotjes së ajrit," tha ajo.

*Burimi: The guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë