Ngjarje

Mbyllet kalimi në unazë për arsye sigurie, banorët në Elbasan protestojnë

Disa dhjetëra banorë të lagjes “Emin Matraxhiu” në Elbasan, kanë protestuar mëngjesin e kësaj të premteje për bllokimin që bashkia i ka bërë nyjës që ata e përdorin për të hyrë dhe për të dalë nga zona e tyre.

Gjatë protestës, ata bllokuan për disa minuta edhe qarkullimin në unazën juglindore të qytetit, që është dhe pjesë e aksit nacional që lidh juglindjen e vendit me Tiranën dhe Durrësin.

Sipas bashkisë, bllokimi i nyjës u bë, pasi ishte mjaft e rrezikshme dhe ishte premisë për aksidente, duke orientuar daljen e banorëve në një tjetër rrugë pranë kodrës së Krastës.

Por kjo zgjidhje u kundërshtua nga banorët, të cilët kanë deklaruar vijimin e protestave, derisa në këtë nyje të bëhet një zgjidhje tjetër me mbikalim ose nënkalim për ta.

Banorët bllokuan rrugën pa një lajmërim në polici, pasi sipas tyre edhe ata nuk u njoftuan nga autoritet për bllokimin.

Ata u shprehen se nuk janë kundër rritjes se masave të sigurisë, por se duhet të krijohen rrugë alternative, pasi për t’u lidhur me Elbasanin apo dërguar fëmijët në shkollë u duhet të përshkojnë më shumë se 4 km. Më pas rruga u zhbllokua me ndërhyrjen e policisë së Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë