Gazeta Si – Gjykata e Fierit, dënoi me 12 vite burg Florian Mukën, autorin e vrasjes së Grei Bihucit në 11 mars 2024, duke rrëzuar Prokurorinë, e cila kërkoi pak ditë më parë 25 vite burg.
Gjatë seancës, autori pranoi krimin dhe kërkoi falje. Ndërkohë, i mituri K.M., vëllai i autorit, i pranishëm në ngjarje, por jo i përfshirë drejtpërdrejt, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, dënim që e ka kryer dhe u la i lirë.
Mesditën e kësaj të hëne janë paraqitur të gjitha palët, pasi është dhënë edhe vendimi. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier, seanca gjyqësore është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
Trupi gjykues përbëhej nga kryetar Genci Busho dhe anëtarë Vladimir Cjapi dhe Elira Hroni. Prokuror i çështjes ka qënë Petrit Vukaj, ndërsa dy autorët e akuzuar për vrasje mbroheshin nga avokat Ervis Goxhaj.
Pasi u lexuan faktet në dosje dhe dëshmitë e dhëna në prokurori, Petrit Vukaj ka kërkuar shpalljen fajtor të të akuzuarëve, ku për Florian Mukën ka kërkuar 25 vjet burg dhe për të miturin K.M., (kushëriri i Florianit) 12 vjet burg.
Mbrojtja nga ana e saj e përfaqësuar nga avokat Ervis Goxhaj ka pohuar para trupit gjykues se Floriani e ka pranuar vrasjen, por ka thënë se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.
Ndërsa i mituri. K.M., 16 vjeç, vëllai i autorit të ngjarjes, ka pohuar se ka qënë prezent kur ka ndodhur sherri dhe është kryer vrasja, por vetë nuk ka kryer asnjë veprim. Dy të akuzuarit kanë kërkuar falje dhe kanë shprehur pendesë për veprimet e kryera.
Akuza ishte vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim sipas nenit 78/1, për Florian Muken u kërkua 25 vjet burg, por meqënëse e ka pranuar vrasjen dhe ka kërkuar falje, u dënua me 12 vjet burg në bazë të nenit 76, dhe per te miturin, 12 vjet, por për moskallëzim krimi, u dënua me 1 vit burg gjë që e ka kryer në paraburgim dhe është lënë i lirë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 mars 2024 në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku të rinjtë kishin lënë takim për t’u sqaruar pas një sherri që kishin patur në rrjetet sociale.
Me të mbërritur në vendngjarje, viktima Grei Bihuci, 19 vjeç, u godit me thika nga të dy kushërinjtë dhe për pasojë humbi jetën.
Dy autorët kanë pasur armë të ftohta me vete dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur Bihucin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Nga ngjarja në fjalë mbeti i plagosur edhe një 20-vjeçar që tentoi për të ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit asokohe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.