Ngjarje

Mbretërit e Kokainës: Si mafia shqiptare kontrollon drogën në Britani 

Bandat kriminale shqiptare përdorin kërcënimin e dhunës – dhe ekspertizën tregtare – për të sunduar tregun e kokainës. Foto: Romas Foord


Diç kish ndodhur një natë më parë dhe djemtë, në qoshen e lagjes, ishin të zellshëm për të dhënë këshilla. “Nuk do të doje të rrije gjatë këtej rrotull”, tha njëri, duke refuzuar të fliste më shkoqur. Ata po qëndronin pranë Crispe House, një bllok kullash në pronën Gascoigne,  në Londrën lindore, territor i padiskutueshëm i Hellbanianz.Banda, një ekip tregtarësh droge me orgjinë shqiptare, njihet nga vendasit për dhunën dhe,  më gjerësisht,  nga reagimet në mediat sociale, se shfaqen me Ferrari, tufa kartëmonedhash 50 paundëshe dhe ora të florinjta dore, të markës Rolex, për të rritur reputacionin e bandës dhe për të rekrutuar  “më të rinjtë”. Prona Gascoigne, ndërtuar në vitet ’60, zë një territor  që zbret në jugun e qendrës së Barkingut  drejt Tamizit, në terrenin e saj historik. Po errej, kur dy burra të tjerë u shfaqën dhe, të pyetur nëse ishin Hellbanianz, dikush u përgjigj: “Duhet të ikësh!” Vëzhguesi u shoqërua jashtë pronës dhe iu tha të mos kthehej më.

Hellbanianz u përkasin “lojës së shitjes me pakicë” në tregtinë e kokainës. Ata janë tregtarët e rrugës  dhe zbatuesit e Mafies Shqiptare, sindikatat e organizuara kriminale shqiptare, të cilat, Agjencia Kombëtare e Krimit beson se, po konsolidojnë pushtetin brenda botës së nëndheshme kriminale të Britanisë dhe janë drejt rrugës së një xhiroje  totale të tregut britanik prej  5 miliardë paundësh. Videot muzikore, të prodhuara plot shkëlqim nga banda e që shërbejnë si gracka, u kujtojnë shikuesve  se “HB janë gati për dhunë” dhe se ata posedojnë fuqinë e nevojshme punëtore dhe arsenal armësh zjarri. E megjithatë, burime nga policia thonë se Hellbanianz zënë rangun më të ulët të mafies shqiptare. Për të kuptuar më mirë ngjitjen e jashtëzakonshme të shqiptarëve në Britani dikush duhet të ngjitet në blloqet më të larta të pronës Gascoigne. Nga aty, qielli i Londrës, ku pjesa më e madhe e kokainës së tyre do të thithet, shtrihet në perëndim. Në drejtim të kundërt, disa milje përgjatë Tamizit, shtrihen portret me kontejnerët gjigantë ku kokaina e tyre zbarkohet në ngarkesa shumëkilogramëshe. Por është përqark Atlantikut, drejt xhunglave të Amerikës Latine, aty ku zë fill historia e Mafies Shqiptare.

Shqiptarët rrëzuan krejt modelin. Ata nisën të negocionin drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane, që kontrollojnë prodhimin e kokës.

Mënyra sesi shqiptarët pushtuan tregun britanik të kokainës, është një mësim për mendjet kriminale; vlera e të bërit miq me mafiet më të rrezikshme të botës dhe një kërcënim absolut i dhunës. Nisi me një model biznesi që ishte i thjeshtë në koncept, por mjaftueshëm i guximshëm për të përmbysur rendin ekzistues. Për vite me radhë importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin të ndarë nga shitësit dhe bandat. Struktura e çmimit ishte e larmishme, në varësi të pastërtisë së drogës; sa më e lartë të ishte, aq më shumë kushtonte. Shqiptarët rrëzuan krejt modelin. Ata nisën të negocionin drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane, që kontrollojnë prodhimin e kokës. Ngarkesa të mëdha ujdiseshin direkt nga Amerika e Jugut. Zinxhiri i furnizimit mbahej brenda vendit.

Informatat e marra nga ekspertët britanikë kanë zbuluar se shqiptarët siguronin kokainë nga kartelet për afro 4 mijë deri 5 mijë paundë kilogrami, në një kohë kur rivalët mendonin se po bënin ujdi të ndershme duke përdorur shitësit me shumicë nga Holanda për 22 mijë e 500 paundë kilja. Shqiptarët e ulën çmimin e kokainës dhe rritën pastërtinë e saj. Më shumë ngarkesa masive u sollën në Britani.

Një nga videot rap të realizuara nga Hellbanianz, me sfond nga prona Gascoigne në Barking, Londra Lindore. Foto: YouTube


Tony Saggers, ish-shef i Inteligjencës dhe Antidrogës në Agjencinë Kombëtare të Krimit, i cili ka kaluar 30 vjet të jetës duke analizuar ritmet e ekonomisë globale të narkotikëve, thotë: “Ajo çka kanë bërë me shumë zgjuarsi,  është se kanë thënë: “Në rregull, kemi këto caqe për të luajtur dhe do u japim një copë të mirë të kësaj, klientit.” Efekti shqiptar i dha thellësisht formë përdorimit, prodhimit dhe ekonomisë së kokainës. Droga është më e lira në Britani, qysh prej vitit 1990 dhe më e pastër sesa ka qenë në një dekadë, që ka shënuar shifra rekord vdekjesh. Britania ka numrin më të lartë të përdoruesve të rinj në Europë. Më gjerësisht, ngarkesa shumë më të mëdha e më të shpeshta droge janë kapur duke hyrë në Britani, ndërsa prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut ka kapur shifra rekord, më shumë se 31 përqind në 2016-ën. Rivalët e bandave shqiptare si Hellbanianz fillimisht e kishin të vështirë të konkurronin për shkak se kishin një produkt shumë më inferior dhe më të kushtueshëm. Mundësia e tyre e vetme ishte të blinin kokainë, që vinte nga Mafia Shqiptare. Saggers thotë: “Ata kanë treguar se nuk ke pse të jesh lakmitar për të sunduar. Ata kanë shkuar drejt rrugës së çmimeve të përballueshme dhe cilësisë së mirë.”

Ata janë të sofistikuar, të shkathët – dhe shpërndajnë pa pushuar; nga portet e Europës në rrugët e Londrës, një rrjet kriminal, që  është tani në majën e tregtisë prej  5 miliardë paundësh në Britani.

Mohammed Qasim, një kërkues nga Universiteti Beckett i Lidsit, i cili studion shpërndarësit e drogës, e përshkruan biznesin shqiptar si “fantastik”, duke shtuar: “Nëse do të ishin në programin Dragon’s Den me këtë model, të gjithë dragonjtë do t’u jepnin atyre para.”E megjithatë, që modeli shqiptar të funksionojë vërtet,  kërkohet kontroll në portet e Europës.  Për këtë Mafia Shqiptare duhet të bashkëpunojë me “Ndragheta-n, më të fuqishmen dhe globalen e mafieve italiane, që kontrollon tregtinë e kokainës në Europën kontinentale.Ka të dhëna të konsiderueshme se jo vetëm që shqiptarët punojnë me Ndragheta-n, por kanë krijuar edhe aleanca të ngushta. Burime thonë se mafia italiane e konsideron atë shqiptare si të barabartë.

Saggers thotë: “Ka një lidhje të fortë të mafies së organizuar italiane me atë shqiptare tani dhe se  shqiptarët punojnë me ta, nuk e konkurrojnë. Plus që, historikisht, italianët kanë pasur kontakte të mira në Amerikën Latine.” Roterdami në Holandë është porti më i madh detar i Europës, me tetë milionë kontejnerë që kalojnë aty çdo vit. Shumë mbërrijnë përmes linjës direkte të ekspresit kolumbian, duke kaluar Hariçin në Eseks,  ose Hull. Porti i dytë më i ngarkuar në Europë, është Antuerpi në Belgjikë, që lidhet me portin eTilburit në Tamiz, 15 milje nga territori i Hellbanianz-ave.

Konfiskimet e kokainës janë rritur,  ndërsa droga ka mësyrë në Britani, në vitet e fundit. Foto:Dominic Lipinski/PA


Kolektivisht, portet belge dhe holandeze punësojnë 24 mijë njerëz, një pjesë e mirë e të cilëve, tregojnë informacionet policore, punojnë me Ndragheta-n dhe Mafien Shqiptare. “Kjo u jep shqiptarëve të vendosur pranë kontinentit, akses të menjëhershëm dhe kontroll të kokainës në porte”, thotë Saggers. Një burim i Agjencisë Kombëtare të Krimit e ka përshkruar Belgjikën dhe Holandën si “pika kyçe të konsolidimit dhe avancimit të trafikut të të mirave të paligjshme” dhe pohon se grupet shqiptare po “zgjeronin ndikimin e tyre në rrjedhën e sipërme” – policia flet për fuqizim të sundimit të tyre,  në furnizimin ndërkombëtar të kokainës.

Anna Sergi, një lektore në kriminologji në Universitetin e Eseksit, e specializuar në marrëdhëniet e mafies, ka pohuar se grupet shqiptare të krimit dhe ato të Italisë së jugut kanë bashkuar forcat “Kurdoherë që Ndragheta transporton mallin, ata punojnë shumë me shqiptarët”, ka thënë ajo. Muajin e kaluar, Operacioni Pollino, i emërtuar sipas zonës së Italisë së jugut, ku “Ndragheta ka rrënjët e saj, arrestoi 90 të dyshuar. Prokurorët e Anti-mafies përshkruan sesi “Ndrangheta mbështetet në grupe të përhershme, që punojnë në porte dhe gjire, bashkë me rrjetet shqiptare të krimit.”

“Janë të sofistikuar, profesionistë dhe e bëjnë atë që premtojnë. Ata shpërndajnë gjithmonë. Kjo ka të bëjë shumë me kodin shqiptar të Besës " -Mohammed ,Qasim, Universiteti Beckett

Më 2017-ën, një shpërndarës shqiptar droge u kap në një pikë karburanti, në Londër,  me dokumente të rreme italiane në makinën e tij dhe dy kilogramë drogë, të fshehur në bagazh. Pika më e brishtë për trafikantët e drogës është porti hyrës. Siguria është e fortë, opsionet janë të përcaktuara. Burimet thonë se “Ndragheta ia ka transferuar shqiptarëve këtë element të zinxhirit furnizues. “Të duhen njerëzit më të zotë për ta nxjerrë jashtë portit. Nëse je i zoti për të lëvizur gjërat, atëherë je shumë përpara konkurrencës dhe shqiptarët,  janë të zotët në këtë”, thotë Sergi.

E megjithatë, edhe shqiptarët më të vjetër kapen ndonjëherë. Klodjan Copja, 30 vjeç, i cili drejton një sindikatë të importit të kokainës prej 60 milionë paundësh, përfundoi pas hekurave më 2017-ën, pasi korrierët e tij u pikasën , pranë kamionëve të ngarkuar me drogë që mbërrinin në Kent. Një aspekt befasues i asaj që AKK e përkufizon si “dominimi në rritje” i shqiptarëve është se deri tani ata kanë shmangur përfshirjet në luftëra me rivalët. Përllogaritja e fundit e kërcënimit kriminal në Britani thotë se,  shqiptarët janë jashtëzakonisht të aftë në zhvillimin e marrëdhënieve dhe krijimin e lidhjeve me banda të tjera të organizuara,  kriminale.” Ndërtimi i marrëdhënieve të tilla e  ka lënë Liverpulin si të vetmen pjesë të Anglisë, ku nuk shitet zakonshëm kokainë,  me burim shqiptar. Jo vetëm që porti i Mersejsajd ka aksesin e tij direkt me Amerikën e Jugut, thotë Saggers , por edhe terreni i tyre ruhet me xhelozi nga bandat kriminale të qytetit.

Kultivues i kokainës në Kolumbi. Bandat shqiptare kanë negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit, duke mundësuar uljen e çmimit të drogës. Foto: Luis Robayo/AFP/Getty Images

Gjithashtu të punuarit në favor të shqiptarëve,  është reputacioni i tyre për dhunën. Saggers thotë se sfondi i konfliktit të Kosovës u ka dhënë atyre një krekosje të krahasueshme me atë të kriminelëve irlandezë gjatë dhe pas Trazirave. “Janë goxha karizmatikë dhe njihen që u japin përparësi ndërtimit të marrëdhënieve, në vend të luftërave konkurruese. Gjithashtu, kur vjen nga një vend që ka pasur konflikt dhe ke reputacion si mizor, karizma theksohet me një element si “në fakt, duhet të shkojmë mirë me këta njerëz”, thotë ai. Qasim gjithashtu tregon sesi shihen shqiptarët në qarqet kriminale. “Janë të sofistikuar, profesionistë dhe e bëjnë atë që premtojnë. Ata shpërndajnë gjithmonë”, thotë ai. Kjo ka të bëjë shumë me kodin shqiptar të Besës – në mbajtjen e premtimit – por Sergi shton se reputacioni i Mafies Shqiptare duhet parë gjithashtu përmes kodit të lashtë të Kanunit, e drejta e hakmarrjes: se gjaku duhet paguar me gjak. “Duhet t’u besosh të ngjashmëve”, thotë ajo, Koncepti ka për qëllim t’i mbajë gjërat të brendshme, të mbyllura.

“Të duhen njerëzit më të zotë për ta nxjerrë jashtë portit. Nëse je i zoti për të lëvizur gjërat, atëherë je shumë përpara konkurrencës dhe shqiptarët,  janë të zotët në këtë”, Ana Sergi, Universiteti i Eseksit

Pastaj, brezi i ri nisi të bëjë video të shkurtra dhe të valëvitë paratë dhe bashkë me të,  erdhën edhe Hellbanianz. Prona Gascoigne është e rrethuar në jug dhe perëndim nga A13 dhe rrugët Qarkulluese të Veriut, mburoja urbane kundër bandave fqinje ai ajo e Skuadrës së Zezë Beckton, në Njuham. Në mes të viteve ’90, prona drejtohej nga familje të bardha kriminale të klasës punëtore. “Nëse ishe i zi dhe shkoje atje, dilje me ambulancë”, thotë Davidi, një ish-banor. Shthurja dhe drogat dëmtuan pronën shumë më përpara sesa banda xhamajkiane,  e drejtuar nga Delroy “Mbreti” Lewis nisi një operacion mizor , por efikas 24 orësh në pronë, duke shitur kokainë dhe heroinë të përzier. Lewis u burgos më 2004-ën, në një kohë kur popullsia shqiptare në atë pronë po rritej përmes një krize të re refugjatësh që ndiqnin trazirat e saponisura në Kosovë, pak vite pasi lufta kishte sjellë të mbërriturit e parë.

Gjatë censusit të 2011-ës, shqipja ishte gjuha e dytë në atë pronë. Shumë shpejt do të niste sundimi i Hellbanianz-ave. Rookwood House, pesë minuta më larg Barking Abbey-it, u bë selia e tyre qendrore. E lidhur me rrugica qorre dhe pika të kufizuara hyrjeje, blloku i kullave krijonte  lehtësi për t’u mbrojtur nga policia dhe rivalët. Shihet në videon “Hood Life” të Hellbanianz-ave. Por, pesë muaj të shkuar, Rookwood House u shemb si pjesë e një projekti rijetëzimi.

“Nëse ata importojnë kile për pak mijëra dollarë, imagjinoni sesa para xhirojnë këta djelmosha” Tony Saggers, ish shefi i drogs, Agjencia Kombëtare e Krimit

Vendasit thonë se Hellbanianz i kanë lëvizur operacionet në veri, në një port pranë pub-it “Kings Lounge”. “Ata mblidhen në nëntë të mbrëmjes, të njëjtat fytyra, e njëjta ngarkesë”, thotë dikush. Disa mund t’i njohin fytyrat nga YouTube, ku Hellbanianz postojnë xhirime, në përpjekje për të joshur “skifterë” – rekrutë të rinj –me  pamje grash të zhveshura, Bentley që xhirojnë gomat dhe tufa të pafundme parash. Saggers thotë: “Tregu i shitjes me pakicë është mjedisi i pasurimit të shpejtë. Nëse ata importojnë kile me pak mijëra dollarë, imagjinoni sesa para xhirojnë këta djelmosha, nëse shesin 40 paundë gramin!” Përpara se profili i tyre të mbyllej në muajin nëntor, Hellbanianz kishin 115 mijë ndjekës. Videoja “Hood Life”, e cila hapet me një pamje me  dron të pronës Gascoigne,  ka më shumë se 7.5 milionë shikime. Vargjet e bandës flasin rreth mbrojtjes së Barkingut me “kallash” (AK47s)– dhe numërojnë kërcënime për grupin rival shqiptar OTR ( On Top Of The Rest) dhe disa të tjerë.

Videoja e tyre e fundit, e nxjerrë në fund të tetorit të 2018-ës, citon se ata janë “gati për luftë”. Një banor i quan Hellbanianz-at si “ngulësit e thikave” . Duke kërkuar të mbetet anonim, ai thotë: “Mund të jesh duke u kthyer në shtëpi dhe të ndjesh një pickim në këmbë dhe më pas të kuptosh se ta ka ngulur thikën një prej atyre kalamajve shqiptarë.” Ky nënvlerësim ishte i dukshëm në rastin e një anëtari të Hellbanianz, Tristen Asllani, i cili më 2016-ën humbi kontrollin gjatë një ndjekjeje  nga policia në Crouch End, në Londrën Veriore dhe përfundoi në një dyqan. Në makinën e shkatërruar, policët gjetën një valixhe plot me kokainë dhe më vonë, në shtëpinë e 29-vjeçarit, edhe 21 kile të tjera droge dhe një pistoletë Skorpion me silenciator. Sjellje të tilla shpjegojnë se pse shqiptarët janë kombësia e tretë e huaj në burgjet britanike. Shifra është edhe më befasuese kur merr në konsideratë numrin e vogël të kriminelëve të organizuar,  që Agjencia Kombëtare e Krimit beson se janë shqiptarë - 0.8 përqind.

Jeta luksoze e Hellbanianz-ave, veshjet, dhuna – ka krijuar tension brenda komunitetit shqiptar, veçanërisht mbi  nxitjen e policisë.  Videoja “The Hood Life” shfaq anëtarët e bandës që rrethojnë një makinë patrulle të policisë. “Kjo shkon kundër kulturës shqiptare. Disa nga shpërndarësit më të lartë të drogës, tregtarët ndërkombëtarë, nuk e pëlqejnë këtë sjellje. Ekspozon aktivitetet e tyre. Ata duan të kenë profil të ulët, duke përfituar pa u kapur”, thotë Qasim-i. Në Rrugën Longridge, në Barking, zonë e restoranteve shqiptare, disa ngrysen kur përmendet banda apo emra të famshëm anëtarësh. Të tjerë e mohojnë ekzistencën e saj.

Një tjetër jehonë e modelit shqiptar, thonë disa, ka ndihmuar në krimin e thikave dhe mosmarrëveshjeve të drogës,  duke e bërë kokainën të përballueshme për bandat e vogla të rrugës. Një raport i kohëve të fundit nga zona londineze e Waltham Forest thotë se bandat po lëvizin nga rivalitetet e lagjeve tek sipërmarrjet tregtare,  të fokusuara në tregtinë e kokainës. Të martën e kaluar, 14-vjeçari Jayden Moodie u vra në zonë,  gjatë një sulmi të shënjestruar, megjithëse familja e tij ka thënë se nuk ishte i përfshirë në banda. Ndërkaq, për sa kohë Mafia Shqiptare vazhdon të shpërndajë kokainën e saj, rekrutimi i adoleshentëve,  në jetën banditë të Hellbanianz, nuk ka qenë kurrë më i lehtë se kaq. *Mark Townsend/ The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë