Politike

Katër orë debat/ Këshilli i Mandateve vendos: Berisha të arrestohet, raporti votohet të enjten në Kuvend (Berisha protestoi më herët jashtë kryesisë)    

Këshilli i Mandatave mbylli mbledhjen pas 4 orë seancë ku ishin të pranishëm anëtarët e PS-së në Këshill, Enkelejd Alibeaj (i vetmi) nga opozita, dy prokuroret e SPAK dhe avokatët e Sali Berishës në mungesë të këtij të fundit.

Deputetët e tjerë të grupit Bardhi-Berisha anëtarë të Këshillit bojkotuan mbledhjen.

Me vetëm 10 minuta ndërprerje, ‘Mandatet’ zhvilluan një seancë maratonë ku secila palë mbrojti pretendimet veta.

Në fund të pyetje-përgjigjeve, kur erdhi radha e konkluzioneve deputetët e PS-së, (ndryshe nga pasiviteti gjatë seancës) folën secili në mbrojtje të kërkesës së SPAK.

Në fund të mbledhjes, Këshilli i Mandateve vendosi me 6 vota pro (përfshi votën e Alibeajt) që t’i hapë rrugë SPAK në kërkesën për marrjen e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës.

Lindita Nikolla caktoi si relatore të hartimit të raportit, deputeten e PS-së, Klotilda Bushka.

Nikolla njoftoi gjithashtu se raporti do të duhet të miratohet brenda ditës së mërkurë, për të kaluar për votim ditën e enjte, seanca e fundit parlamentare për këtë sesion, ditë në të cilën Berisha ka thirrur sërish protestë.

Mbledhja maratonë

Këshilli i Mandateve shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

Paralelisht jashtë kryesisë së Kuvendit u zhvillua nje protestë modeste e thirrur nga Sali Berisha.

Në këtë protestë mori pjesë dhe Argita Malltezi Berisha, e cila është fotografuar në shoqëri të demokratëve, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri.

Argita Malltezi ka shtuar daljet publike, ndërkohë që ka nisur dhe një debat nëse do të jetë ajo ‘pasardhësja e Sali Berishës” në Partinë Demokratike.

Në një prononcim për mediat, Argita Malltezi tha se në protestë ka shkuar si qytetare

“Dalja në rrugë është aspekti i protestës popullore, në radhë të parë është apel për pjesën tjetër të popullatës për të qëndruar. Nuk është çështje numrash, por çështje fryme, një ditë tjetër do jenë më shumë. Berisha bën atë që bën çdo njeri për vendin e tij, njerëzit do ta mbështesin jam e bindur, për ne e rëndësishme është ajo që bëjmë ne për vendin dhe parimet. Si juriste jam pa fjalë, kurrë nuk e mendoja që në sistemin e drejtësisë mund të kishte shkelje të tilla të ligjit si ato që kam parë në atë proces që më ka prekur personalisht”, tha Argita Malltezi

Gjatë protestës para kryesisë së Kuvendit, Berishës iu bashkua vetëm Petrit Vasili nga PL dhe asnjë drejtues tjeter i partive aleate

Ne fillim të mbledhjes, avokati i Sali Berishës, Genci Gjokutaj, kërkoi pezullimin dhe shtyrjen e Këshillit të Mandateve deri sa të shprehej Gjykata Kushtetuese sa kohe që në këtë institucion është cuar një kërkesë për pezullimin e procedurave te mëparshme të ndërmarra nga SPAK.

Ai kërkoi që kërkesa e tij të votohet nga anëtarët e Këshillit të Mandateve.

Anëtarët e PS-së u shprehen se nuk ka një kërkesë të tillë në Kushtetuese për pezullimin e procedurave nga ana e Këshillit të Mandateve por për një vendim të mëparshëm. Të njëjtën logjikë ka përmendur edhe Enkelejd Alibeaj duke i sugjeruar kolegëve të tij te grupit 'Bardhi' që të cojnë në Kushtetuese padi shtesë për pezullimin dhe të kësaj procedure qe po diskutohej në Keshill. Deri sa nuk ka një vendim të tillë, Alibeaj iu bashkua votës së 5 anëtarëve te PS për të mos e pezulluar shqyrtimin e autorizimit nga SPAK.

Prokurori Arben Kraja lexoi kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e Berishës, krah tij është dhe prokurorja Enkeleda Millonai.

Prokurori Arben Kraja argumentoi edhe gjatë pyetje përgjigjeve në seancë se arsyeja e kerkesës për arrestimin e Sali Berishës lidhet vetëm me refuzimin nga ana e tij për të mos zbatuar vendimin e GJKKO-së për tu paraqitur para oficerit gjyqësor.

Ndërsa avokatët e Berishës janë fiksuar më së shumti në shkeljen që sipas tyre SPAK ka ndërmarrë duke mos kërkuar autorizimin e Kuvendit që në fillim të çështjes.  

"Neni 73 Pika 3 e Kushtetutës përcakton qartë: Në rast se për një deputet është vendosur masa e arrestit, prokurori njofton kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim heq masën. kuvendi ka pushtet kushtetues për të anulluar vendimet e sistemit të drejtësisë për masa sigurie.

Neni 73 paragrafi 2 e përcakton qartë ku: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

Në lidhje me shprehje se ose ti hiqet liria në çdo lloj forme duhet të theksojmë se Kushtetuta është e qartë, kreu dy i kushtetutës ka titullin : Lirinë dhe të drejtat vetjake dhe në nenin 21e në vijim parashikohen këto liri dhe në nenin 38 paragrafi dy citohet se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë vendit, dhe kjo liri i është hequr e gjitha zotit Berisha dhe minimalisht kemi një heqje të plotë të lirisë.

Termi ose ti hiqet liria në çfarëdo lloj  forme nuk nënkupton në asnjë rast vetëm caktimin e masave arrest në shtëpi dhe arrest në burg për arsye se nëse do të nevojitej autorizimi i kuvendit vetëm për këto dy masa shtrënguese nuk do të kishte kuptim shprehja ose ti hiqet liria në çdo lloj forme.

Duke e specifikuar për këtë garanci për deputeti n me shprehjen më supreme në çfarëdolloj forme nuk mund të ketë aludim për ngatërrim të dy termat heqje apo kufizim lirie. në çdo rast kushtetuta i ka barazuar këtë lloj termesh në nenin 27 paragrafi i parë citohet: Askujt nuk mund ti hiqet liria.

Në paragrafin e dytë ku specifikon rastet përjashtimore të paragrafit të parë shprehet: Liria e personit nuk mund të kufizohet", tha avokati Mëngjesi

“Nga përshkrimi rezulton qartë se zoti Berisha ndiqet sot penalisht për aktivitetin e tij politik, në kohën që i referohet SPAK, kur ka qenë kryeministër i vendit, deri në ditët e sotme.

Rast i paprecedentë që minon çdo parim të një shoqërie demokratike, të akuzohet një deputetët dhe lider i opozitës se ka kryer korrupsion duke miratuar ligje, apo akte nënligjore në plotësim të funksionit të tij politik.

Kjo vërteton se kemi një proces penal në kuadër  të të cilit po i hiqet liria Berishës, kur ne thelb konsistojnë insinuata dhe qëndrime politike të karrierës së liderët të opozitës.

Sepse për ligjet që referohet Kuvendi, nuk ka asnjë iniciative ligjore as nga opozita e asaj kohe, as nga grupe të tjera që te jenë konstatuar këto ligje.

Kjo është një situatë e rrezikshme dhe këmbanë alarmi jo vetëm për Berishën sot por, për të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli shqiptar se nuk mund të ushtrojnë lirisht funksionet e tyre politike.

Në Kushtetutë përcaktohet qartë, deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e tij të dhëna në ushtrim të funksionit. Sot Berisha mban përgjegjësi për votat që ka dhënë në Kuvend, sepse kështu e ngre akuzën SPAK” tha ndër të tjera Mëngjesi.

Në fund të fjalës së tij, avokati kërkoi rishikimin e vendimmarrjes deri në momentin kur të ketë një vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, ai kërkoi edhe mosdhënien e autorizimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Berisha.

“Kërkojmë rishikimin edhe njëherë të vendimmarrjes tuaj mbi pezullimin e kësaj proceduare parlamentare deri në vendimmarrjen e Gjykatës duke patur tashmë në konsideratë edhe bazën ligjore dhe në alternativë të mospranimit të kësaj kërkese mosdhënien e autorizimit nga ana e Kuvendit për heqjen e lirisë të deputetit Sali Berisha”, tha Mëngjesi.

Ndërkohë jashte kryesise Sali Berisha mbylli protestën pas më shumë se një orë.

Berisha thirri tjetër protestë krahas asaj të thirrur të enjten. Ajo do të mbahet më 27 dhjetor, ditë kur do të jepet vendimi per siglen e PD  

“...Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë.

Ne do qëndrojmë.

Ne do fitojmë!

E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist”, tha ai.

Në këtë protestë nuk u pa asnjë nga deputetet e grupit “Bardhi” apo edhe ata që nuk rreshtohen zyrtarisht me asnjërën palë në PD si deputeti Ervin Salianji apo Agron Gjekmarkaj.  

Çfarë ndodh pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve

Ndërkohë Këshilli i Mandateve pas mbledhjes u paraqet deputetëve të Kuvendit një raport ku përmblidhen pretendimet e palëve.

Në raport rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Edhe nëse Kuvendi e autorizon SPAK-un për arrestimin e Sali Berishës, ai nuk e humbet mandatin e tij deri në dënim me vendim të formës së prerë, përveç rasteve kur e dorëzon vetë.

Vetëm këtë vit nga SPAK janë depozituar drejt Kuvendit disa kërkesa për deputetë nga kërkesa ndaj ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj deri te ajo për deputetin Alqi Bllako.

Pjesë nga debati në mbledhjen e Keshillit te Mandateve

Gjokutaj: Kërkojmë që të pezullohet dhe të shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese

Nikolla: Nuk jemi ne rastet e pezullimit të kësaj seance, aq më tepër nuk mund të pezullojmë një seancë ende pa dëgjuar prokurorët e çështjes, duhet të vazhdojmë me seancën siç është parashtruar   

Gjokutaj: Kërkoj të pezullohet ose të shtyhet meqenëse është paraqitur një kërkesë në Kushtetuese

Alibeaj-Gjokutajt: Kërkesa e paraqitur nga ana juaj ka për qëllim pezullimin procedurave të nisur nga SPAK apo i përket vendimeve të marra nga gjykata më parë?

Gjokutaj: Ju duhet të votoni nëse e pranoni kërkesën tonë apo jo, me qëllim që të bëjmë një punë sipas ligjit që quhet ekonomi kohe dhe gjyqësore, dhe te mos i biem njeri gozhdës tjetri patkojit sepse ne e gjykojnë këtej dhe Kushtetuesja e gjykon andej

Alibeaj: Kërkesa drejtuar gjykatës kushtetuese përfshin në një farë mënyrë këtë procedurë parlamentare sa kuptova bazuar në ligjin për GJK dhe rregulloren e Kuvendit dhe nëse do të kishte pasur një kërkesë për ta pezulluar deri në pritje të vendimit të gjykatës kushtetuese pra deri sa kushtetuesja të shprehej me një vendim nëse do të kishte një kërkesë për pezullim Kushtetuesja në këtë rast është e epërme edhe mbi Kuvendin. Deri me sot nuk ka një vendim të kushtetueses për të pezulluar këtë procedurë parlamentare

Teorikisht mund të ndodhë që e gjithë procedura e mëparshme mund të ketë ves kushtetuese dhe nëse ndodh ajo, potencialisht edhe kjo procedure parlamentare do të duhet ta mbartë atë virus, megjithatë rrugën kushtetuese për ta diagnostikuar këtë është Kushtetuesja

Paraqisni një kërkesë të re ose bëni shtesë në Gjykatën Kushtetuese

(Kërkesa e Genci Gjokutajt votohet dhe rrëzohet në unanim nga anwtarët e pranishëm të Këshillit të Mandateve)

Arben Kraja: Me datën 2 tetor 2023 është vendosur regjistrimi i emrit Sali Berisha si i dyshuar se ka kryer veprën penale korrupsion kryer në bashkëpunim. Nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi se Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete aktive me qëllim përshtatjen e ligjeve, ku përfitues ishte edhe bashkëshorti i vajzës së tij Jamarbër Malltezi.

Nuk e pengon prokurorinë që të marrë një masë ‘detyrim paraqitje’ ndaj tij. Lidhur me këtë mori masën detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. GJKKO ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar masat e sigurimit personal. Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës. Personi në hetim nuk është paraqitur. Ne kërkojmë zëvendësim mase – nga detyrim paraqitje ndalim dalje jashtë shtetit, në atë arrest në burg/arrest në shtëpi...

Sokol Mëngjesi: ...Nga caktimi i masave deri në momentin që flasim, keni prova që Berisha ka marrë veprime konkrete për t’u larguar jashtë vendit, apo për të mos u përshtatur me nevojat e procedimit penal.

Kraja: Zoti Berisha nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur vendimin për tu paraqitur para oficeres gjyqësore. Prandaj jemi këtu.

Mëngjesi: A keni prova konkrete për ti paraqitur këtij këshilli për të vërtetuar nëse ekziston ndonjë rrezik që Berisha të këtë marrë për të prishur provat.

Kraja: E njëjta përgjigje që dhashë pak më parë.

Alibeaj: Ju keni ardhur këtu për shkelje e detyrimeve të masave ndaluese, apo keni çmuar nevoja shtesë të sigurimit?

Kraja: Berisha nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur masat e sigurimit nga gjykata...

Alibeaj: Pse nuk duhet ta konsiderojmë ne që ju po veproni politikisht?

Kraja: Këtu nuk ka asnjë veprim politik që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që jemi sot dhe nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare. Çdo kërkesë që kemi bërë bazuar në provat që janë mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ua kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri tani. Mund të mos na japë të drejtë deri në fund por jemi të hapur.

Ne kemi kompetencë të hetojmë kryesisht funksionarët e lartë shtetërorë. Përsa kohë kemi kompetencë për të hetuar funksionarë të lartë shtetërorë në dukje mund të mos dukemi si të paanshëm. Unë e kam për detyrë  si prokuror kur ka një kallëzim të nis hetimin. Në dukje mund të përdoret nga palët se filloi se e tha ky apo tha ai e nuk mund ti ndalojmë këto fjalë. Unë kam qenë drejtues I këtij institucioni e dini shumë mirë që jam akuzuar (në dukje) se po punoj për llogari të krahut tjetër. Të jeni të bindur këtu nuk ka asgjë politike. Në jetën time nuk jam marrë kurrë me politikë, as më shkon mendja të merrem me politkë dhe as do të bëhem kurrë politikan.

Alibeaj: Arrest në burg arrest në shtëpi? Për njërën, për të dyja? Masa ekuivalente, apo kanë diferencë me njëra-tjetrën? Nuk jam duke ju pyetur çfarë kërkese do bëni ju kur të shkoni në gjykatë. Por cilat janë opsionet që ju keni ndërmend përderisa keni ardhur në Kuvend?

Kraja: Janë të ndryshme nga pikëpamja e rëndesës. Ne kemi paraqitur kërkesë për ashpërsim, këto janë dy masat që mund të përdoren, kemi kërkuar leje për të dyja. Në varësi të akteve të dosjes dhe vendimmarrjen tonë si prokuror do i kërkojmë gjykatës njërën prej masave, se çfarë do bëjë gjykata është tjetër punë.

Gjokutaj: Cdo mase (arrest me burg/ shtëpie) ka kushte dhe kritere të vecanta kurse këta kërkojnë te dyja

Gjokutaj: A keni informacion që Berisha ka kërkuar të dalë jashtë shtetit, ose të fshihet?

Kraja: Nga seanca gjyqësore e vlerësimit të masës, dhe në apel, kemi konstatuar se kur oficerët kanë shkuar ti dorëzojnë aktet kanë gjetur dyer të mbyllura në 3 shtëpi dhe kanë thënë s’ndodhet këtu, por ne themi që Berisha nuk zbaton vendimet e dy gjykatave të posaçme, është shtetas i Shqipërisë, dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë para ligjit.

S'kemi thënë qe ka prova të reja që e rëndojnë. Kemi thënë nuk zbaton vendimin e gjykatës

Alibeaj: Lëvizja më e mirë politike do të ishte ajo e daljes publikisht dhe lënies me vullnet të mandatit. Nuk po iu këshilloj as juve dhe përfaqësuesve politikë se çfarë sjellje do të mbajë. Ka një kod sjelljeje ky Parlament që do të thotë se deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti. Kjo do të ishte një këshillë që ndoshta ia kishit dhenë.

Mëngjesi: Ne jemi kontraktuar nga Berisha si profesionist dhe nuk jemi këshilltar politik. Për hir të së vërtetës, jo vetëm nuk jemi përfaqësues politik por edhe nuk kuptojmë mirë nga politika. Qëndrimet i ka mbajtur vetë z.Berisha dhe do të keni mundësi ta pyesni në seancë.

Gjokutaj: Që të pretendosh se z.Berisha ka përfituar në këtë rast, aspak! Ai është trajtuar në kundërshtim me ligjin si i tillë. Berisha nuk ka qenë i favorizuar këto kohë qoftë me vulën, me siglën. Kjo është tentativa e fundit. Kjo është një e vërtetë e madhe. Nuk është se është braktisur procesi si i tillë por në momentin kur praktikat janë të tilla, nuk përfillet Parlamentit, Gjykata Kushtetuese dhe bëhet sikur dëgjohet.

Nikolla: Jeni profesionist dhe vini e bëni këtu politikë.

Gjokutaj: Këtu nuk mund të jemi në gjykatë. Lëre të nxjerrë dufin thotë populli. Çmimin e fjalët e keni ngritur shumë. Keni ardhur në emër të kryeministrit këtu dhe s’doni të na lini të flasim?!

Nikolla: Dufin shfryni në një vend tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë