Bota

Mbingarkesa e spitaleve, Britania vë në dispozicion hotelet për pacientët

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka deklaruar se autoritetet po konsiderojnë mundësinë e shtrimit të pacientëve me Covid-19 në hotele, si një “plan rezervë”.

Kjo deklaratë vjen ndërsa Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) po shkon drejt ezaurimit të kapaciteteve nga numri i lartë i rasteve me koronavirus.

“Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet”, tha ministri për BBC.

Sipas Hancock, kjo padyshim që nuk është dëshira e tij, por është një nga opsionet e mundshme. I pyetur se cilët pacientë do të dërgohen në hotele, Ministri i Shëndetësisë tha se, “Bëhet fjalë për pacientët që kanë qenë në spital, të cilët nuk kanë më nevojë për trajtim të plotë spitalor, por nuk janë ende gati të shkojnë në shtëpi.”

Më herët, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, tha se shtretërit e lirë në spitalet e Londrës janë drejt ezaurimit për shkak të numrit të lartë të shtrimeve të pacientëve me koronavirus.

Teksa nuk fshehu shqetësimin e tij, Khan pohoi se virusi është jashtë kontrollit dhe spitalet janë në prag të mbingarkesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë