Shendet

Mbi 300 të shtruar në spital, Kosova mbyll xhamitë dhe kishat. Hoti: Jo dasma e ahengje

Kosova po shkon drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së Covid-19. Lajmi është njoftuar nga Kryeministri Avdullah Hoti në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Kryeministri Hoti tha se do të ketë ashpërsim të masave për frenimin e përhapjes së pandemisë dhe në ndihmë të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor do të vijnë edhe forcat e policisë, duke paralajmëruar shqiptim të gjobave të majme për shkelësit e masave.

Hoti foli për rritje të gjobave, e deri në ndjekje penale për shkelësit, duke iu referuar ligjit për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Pjesë e masave kufizuese është edhe mbyllja e kishave dhe xhamive, deri në një vendim të dytë.

“Është e prapranueshme që me masat anti-Covid në fuqi, nëpër qytete dhe fshatra organizohen ende dasma dhe ahengje. Ne ndalojmë tubimet publike dhe ritet fetare për një kohë të pacaktuar dhe në këtë drejtim kërkoj mirëkuptimin e krerëve fetarë”, u shpreh Hoti.

Megjithatë, gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall. Kryeministri Hoti tha se për këtë do të ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese dhe nëse gjendja nuk përmirësohet ajo do të shpallet në një moment të dytë.

“Ky është hapi i parë me masa rigoroze të mbikëqyrjes dhe janë hapur procedurat kushtetuese për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Do të organizojmë një fushatë për ndërgjegjësimin e qytetarëve pasi 30 për qind e tyre ende nuk beson që Covid është real. Do të tregojmë histori nga Klinika Infektive sesi çdo ditë përballen njerëzit me këtë sëmundje. Kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve që kanë humbur njerëz për të na sjellë historitë e tyre. Është çështje për jetë a vdekje”, u shpreh Hoti.

Kosova numëron rreth 300 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, 29 prej të cilëve, siç raportojnë institucionet janë në gjendje të rënduar shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë