Shqipëria ishte pjesë e një prej operacioneve më të mëdha ndërkombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të koordinuar nga Europol me mbështetjen e INTERPOL dhe Frontex.
Operacioni i koduar “Global Chain” u zhvillua nga 8 deri më 12 qershor në 59 vende të botës dhe çoi në arrestimin e 1,024 personave, identifikimin e 2,070 viktimave të mundshme dhe nisjen e 465 hetimeve të reja.
Sipas të dhënave të publikuara nga Europol, 334 prej të arrestuarve dyshohen për trafikim të qenieve njerëzore, ndërsa 690 persona të tjerë u arrestuan për vepra të tjera penale të lidhura me këtë aktivitet kriminal.
Autoritetet identifikuan gjithashtu 201 të dyshuar të tjerë dhe zbuluan 80 raste të mashtrimit me dokumente.
Operacioni u fokusua në goditjen e rrjeteve të përfshira në trafikimin për shfrytëzim seksual, punë të detyruar, kriminalitet të detyruar dhe lypje të detyruar, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes së fëmijëve.
Nga 2,070 viktimat e mundshme të identifikuara, 162 ishin të mitur, ndërsa pjesa më e madhe e viktimave ishin gra të trafikuara për shfrytëzim seksual.
Shqipëria ishte pjesë e Qendrës Evropiane të Operacioneve, së bashku me 42 shtete të tjera nga Evropa, Azia dhe Afrika.
Gjatë operacionit u goditën disa rrjete kriminale ndërkombëtare, duke çuar në shpëtimin e viktimave të trafikimit seksual dhe të punës së detyruar, sekuestrimin e pasurive dhe shumave të konsiderueshme të parave, si dhe çmontimin e grupeve të përfshira në shfrytëzimin e të miturve.
Në përfundim të operacionit, Europol theksoi se grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë platformat online dhe rrjetet sociale për të rekrutuar, kontrolluar dhe shfrytëzuar viktimat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje