Politike

Mbetjet kancerogjene, PD: Pas tyre miku i Ramës, të hetohet bashkë me italianët

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi doli para medias në portin e Vlorës pak ditë pas kapjes së një ngarkese me mbetje të rrezikshme në një traget të linjës Brindisi-Vlorë. Zyrtari i PD-së, Malltezi akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po lejon importin e mbetjeve nën etiketën si kimikate, përmes vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2016, “Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”.

“Mediat italiane raportuan për të paktën 15 udhëtime me traget, ku sasi të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, largohej nga Italia me qëllim depozitimin në Shqipëri sipas një skeme tipike mafioze. Vlonjatët dhe gjithë shqiptarët panë Edi Ramën në darkë të ngushtë me z. Kornuzi që banon në Siçili, pronarin e ndërmarrjes “Kornuzi”, biznesi i së cilës është ajo e depozitimit të mbeturinave dhe e cila transportonte ngarkesën jashtë portit te Vlorës. Tek rruga e 15-të mesa duket qenkan prishur pazaret dhe u kap ngarkesa. Po ku kanë përfunduar 14 ngarkesat e mëparshme me mbetje të rrezikshme? Në det apo maleve që të ndotin dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve me azbest për 100 vitet e ardhshme?”, deklaroi Malltezi.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka laboratorë të akredituar të mbetjeve të rrezikshme, ndërsa mbetjet radioaktive janë pjese e vogël e mbetjeve te rrezikshme dhe se aszbesti dhe vajrat e ndotura nuk janë radioaktive, por janë mbetje toksike kancerogjene.
“Prokuroria shqiptare i detyrohet popullit të Vlorës që mos të mbylle sytë, por të bashkëpunojë me prokurorinë e Leçes për të hetuar këtë trafik ndërkombëtar mbetjesh të rrezikshme, të sjellin polici shkencore dhe të marrin mostrat për ti analizuar në Laboratorët e Akredituar të Mbetjeve të rrezikshme pasi në Shqipëri nuk ka asnjë laborator të akredituar për këto lloj mbetjesh”, tha më tej Malltezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë