Ngjarje

Mbani distancën, të shkretën!

“Hekura të vjetër, lavatriçe, soba. Ke ndonjë hekur që nuk të duhet?” Ky refren që mu duk si dejavu, më bëri të mendoj se diçka nga normaliteti i vjetër kishte mbërritur.

Dy zotërinjtë e veshur me jelek fosforeshent iu avitën djalit të një servisi makinash, që me sa duket i ushqen shpesh me hekura për skrap. Në komplekset e pallateve në lagje vëren të gjitha grupmoshat, që kanë dalë për të shijuar diellin.

“Kam dalë të marr ca rreze me gocën se vdiqëm në majë të ballkonit”, i thotë një grua rreth të 45 vjeçëve fqinjës së saj që sapo është kthyer nga "marrja e rrezeve".

As njëra dhe as tjetra me maskë. Disa hapa më tutje një gjysh i vetëm, ulur në stol plotëson fjalëkryqe. Në asfaltin e sheshpushimit të kompleksit të pallateve, fëmijë që luajnë me top e ngasin biçikleta duke u ngatërruar ndër këmbët e të rriturve që kanë dalë të shpijnë këmbët e të marrin rreze. Rrallë verën ruajtjen e distancës, ndërsa një pjesë me masa mbrojtëse si dorashka dhe maska, të tjerët jo.

Në shumë syresh arrin të lexosh në sjelljen e tyre: “ia hodhëm, u çliruam”. Të ngjan sikur gishti i dhënë ka shërbyer për të marrë të gjithë krahun, si bonus shpërblimi për javët dhe ditët e gjata të izolimit të padëshiruar.

Në rrugë vëren njerëz edhe nga e njëjta familje që kanë dalë sëbashku për Pazar. “Si qenka sot për plazh, dielli shumë i bukur”, i thotë njëra prej vajzave të ëmës. Makinat janë shtuar, vëren edhe taksitë e verdha që rrëshkasin në asfalt.

Megjithatë Tirana sot u dukërka sikur me të vërtetë e ka shpënë koronavirusin andej nga erdhi, nga shpengueshmëria e njerëzve. Gjatë rrugës, rrëzë pallateve ose lulishteve të vogla të pallateve, vëren grupe djelmoshash, disa syresh me maska, të tjerë jo që tymosin e bisedojnë ngjitur me njëri-tjetrin. Më tutje vëren tek-tuk të moshuar me trasta që kanë bërë pazarin, ndoshta në pamundësi të dikujt për t'i ndihmuar.

Ndërkaq mjekët gati luten për kujdes sepse rreziku është ende eminent dhe shkencëtarët gjithmonë e më shumë zbulojnë detaje të reja për virusin e rrezikshëm.

Hyj në një pastiçeri. Mu duk vetja në një ditë të diele në kohën para '90-s kur e diela në ëmbëltore ishte festë. Pavarësisht rregullave të urdhëruara në mbrojtje ndaj Covid-19 në atë pastiçeri “ishin vërsulur” prindër me fëmijë për të blerë akullore, ngjitur me njëri-tjetrin. Të shpenguar dhe të papërgjegjshëm. “Ruaj distancën të lutem”, iu drejtova një nëne të re me fëmijë që mezi po duronte për të marrë porosinë. “Unë veten time e di vetë. Jam me fëmijë e nuk po pyes sepse e di që nuk kam gjë”, turfulloi zonja dhe teksa largohesha, dëgjoja zërin e saj sërish që thoshte “shyqyr që ike”.

Kjo ishte një tablo modeste e asaj si ngjante Tirana sot me kufizim më të lehtësuar pas lëngimit mbi 40 ditë në izolim. Një pjesë e mirë kanë abuzuar me lehtësimin, por ka edhe syresh që kanë kohë që abuzojnë dhe kanë prekur indinjatën e një pjese tjetër që vlerësojnë ekonominë.

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, do të shprehej pak ditë më parë, se do të ketë një valë të dytë të koronavirusit, e cila do të jetë më e madhe, por e përballueshme nga strukturat spitalore, nëse zbatohen masat.

Duke folur për lehtësimin e masave, mjeku Kalo theksoi se mund të ketë hapje graduale të jetës, por duhet bërë shumë kujdes, pasi sipas tij, sëmundja është ende në “lulëzim”.

“Ne jemi kërrnacë, por edhe shumë me tefter për të përdorur teste. Duhet bërë hapje graduale, që përplasja me të infektuar të jetë më e vogël, zhvillimi i rasteve të jetë gradual dhe të jetë nën kontroll si numri i të prekurve, si numri i atyre që mund të trajtohen në spital. Në valën e dytë shpresojmë të mos kapërcehen strukturat e spitalit, por ama në Kinë dhe Kore u mbyllën menjëherë pas hapjes, sepse pati shtim të rasteve. Infektimet e valës së dytë mund të jenë më të mëdha se të valës së parë, por mund të përballohen me strukturat spitalore, nëse kemi hapje graduale.”-do të thoshte ai.

Në fundjavë shumë syresh kanë publikuar foto nga lagjet e tyre në mbrëmje teksa shumë njerëz shijonin muzgun në tufa në oborrin e pallatit. Një e tillë, si fotoja e mëposhtme, mban diçiturën: “#LIBERTA de-facto#DistancimSocial de-juro. Kjo foto është marrë sonte nga një lagje në Tiranë në orën 19.00 dhe në 20.00. Sheshet plot. Ekonomia lëngon nga bllokimi!!”.

Pjesa më e madhe e eskpertëve të ekonomisë dhe financave kanë parashikuar një recesion më të thekshëm se ai i vitit 2008, por a zgjidh gjë moskokëçarja jonë duke abuzuar me lehtësimin e rregullave përballë një të panjohure?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë