Tani që jemi shumë muaj në pandeminë e koronavirusit, shumica e njerëzve është më e vetëdijshme për masat paraprake të nevojshme për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së sëmundjeve infektive si mbajtja e maskave, distancimi social dhe larja e duarve.
Dhe ndërsa jemi afër sezonit të gripit, i cili zgjat nga fillimi tetorit deri në fillim të majit çdo vit, ka një sërë pyetjesh se si do të jetë situata tani e me tej. Ajo çfarë është më problematike fillon pikërisht muajin e ardhshëm pasi mjekët janë të shqetësuar se virozat do të ngatrrohen.
Që kur filloi pandemia, procesi i mendimit në botë rreth përhapjes së sëmundjeve infektive ka ndryshuar, sipas Ali Raja, nënkryetar ekzekutiv i Departamentit të Mjekësisë Emergjente në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts.

“Ka ndryshuar gjithçka, por në mënyrë të veçantë, gjërat që ne kemi bërë, nga mbajtja e maskave, larja e duarve, distancimi fizik deri tek higjenizimi. Këtu në Boston, sistemi i metrosë pastrohet shumë herë në ditë. Edhe kjo si një ndërhyrje në shëndetin publik, përveç gjërave individuale si larja e duarve dhe mbajtja e maskave, do të ndryshojë sezonin e gripit për këtë vit ajo që ne nuk e dimë ende është sa kohë do rezistojnë zakonet e reja,” shpjegon Raja.
Ashtu si me pothuajse gjithçka, me pandeminë e koronavirusit, ekziston një nivel pasigurie se çfarë të presësh nga ky virus krejtësisht i papritur. Por ka arsye për të besuar se mbajtja e maskës, së bashku me masat e tjera paraprake, mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të gripit këtë vit. Më poshtë, ekspertët ndanë mendimet e tyre mbi ndikimin e masave të COVID-19 në nivelet e gripit këtë vjeshtë dhe dimër.
Mbajtja e maskës, bashkuar me metodat e tjera të sigurisë së shëndetit publik, pritet të ulin nivelet e gripit në përgjithësi, por kjo mund të ndryshojë nga vendi në vend.
Raja tha se shpreson që nivelet e gripit do të ulen si rezultat i masave të sigurisë së shëndetit publik që kemi marrë për të parandaluar COVID-19. Ai shtoi se, kur shikon të dhënat e gripit në Hemisferën Jugore (ku dimri filloi në qershor), vendet kanë parë një rënie të konsiderueshme në rasteve të gripit për shkak të mbajtjes së maskave dhe masave të tjera paraprake.

“Ne ende duhet të jemi gati për një sezon tipik të gripit. Shumë vende që po raportojnë se të dhënat e tyre të gripit janë në ulje, kështu që shpresoj që të gjithë vendet të kenë një rënie të virozave” shpjegon ai.
Shkalla e gripit do të ulet vetëm nëse gjithçka shkon siç duhet, veçanërisht brenda shkollave.
James Cherry, profesor i shquar i kërkimit në Shkollën e Mjekësisë David Geffen në UCLA, deklaroi se fëmijët janë të parët kur bëhet fjalë për gripin. Virusi më shpesh përhapet nga fëmijët tek të rriturit.
Ai shprehu shqetësim rreth mësimit dhe rreziqeve që mund të sjellë shkolla nëse sistemet shkollore, studentët, mësuesit dhe personeli brenda sistemeve shkollore – nuk i përmbahen të gjitha udhëzimeve të hartuara nga ekspertët.
“Me rihapjen e shkollës, nëse nuk i bëjnë gjërat siç duhet, fëmijët mund të sjellin gripin në shtëpi te prindërit dhe personat e moshuar, që janë më të rrezikuarit” tha ai.
Për të zvogëluar edhe më tej përhapjen dhe rrezikun e gripit, Raja inkurajon publikun që të bëjë vaksinën e gripit. Ka shumë pasiguri që lidhen me koronavirusin dhe shfaqjen e tij gjatë sezonit të gripit, duke përfshirë rrezikun e bashkë-infeksionit.
“Ne nuk e dimë se si do të jetë bashkimi i këtyre dy infeksioneve. Jam i shqetësuar se pacientët mund të përfundojnë më të sëmurë sesa nëse infekrohen nga njëra sëmundje” tha Raja.
Mbrojtja e vetes dhe atyre përreth jush nga gripi gjithashtu do të ndihmojë në mbrojtjen e anëtarëve të tjerë të shoqërisë, gjë që është thelbësore pasi COVID-19 vazhdon të ndikojë gjithnjë e më shumë në komunitet.
Burimi:HuffPost/Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje