Arsim

Mbahen zgjedhjet në universitete mes polemikave për garat pa kundërshtarë dhe denoncimeve për plagjiaturë

Nga Gazeta Si- Zgjedhjet në universitete që zhvillohen sot nuk pritet të kenë surpriza, përjashtuar vetëm Universitetin e Arteve. Kjo sepse në 12 institucionet publike pjesa më e madhe e drejtuesve rikandidojnë ose nuk kanë kundërshtarë.

Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve do të pritet me kureshtje përfundimi i votimi në orën 16:00 se kush do të fitojë pozicionit e rektorit mes Artan Peqinit dhe Erald Bakallit, teksa në 5 institucione të tjera ka vetëm një kandidat dhe nuk priten surpriza.

Në Universitetin e Tiranës e ka të sigurt fitoren Artan Hoxha për mandatin e dytë, edhe Fatbardh Sallaku në Universitetin Bujqësor, Agron Kasa në Universitetin e Sporteve, Xheladin Draçini te Mjekësia dhe Akli Fundo në Universitetin Politeknik.

Zgjedhjet kanë parë denoncime që në nisje të fushatës.

Ka qenë e para pedagogia e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ish Kryetare e Komisionit institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës në vitin 2016 dhe 2020, Majlinda Keta e cila në një intervistë me Gazetasi.al tha se figurat kandidate për rektorë e dekanë në universitete ti nënshtrohen procesit të VETTING, pasi janë konstatuar raste të korrupsionit pas marrjes së detyrës. Sipas Ketës, shtimi i punësimeve në vitin e fundit apo edhe gjatë 6 mujorit prej datës së zgjedhjeve janë fenomene të korruptimit të votës për trupat zgjedhore.

Më pas ka qenë dhe Qëndresa Qytetare që ka denoncuar mungesën e alternativës në këto zgjedhje.

“Mungesa e alternativës është shqetësim që lidhet me mungesën e hapësirës për të krijuar kushtet që kandidatë të tjerë të marrin pjesë në zgjedhje. Ky është realiteti në të cilin ndodhen një numër i konsiderueshëm e fakultetesh të cilët zgjedhin Dekanët në këto zgjedhje, duke nisur një proces me një kandidat të vetëm”, shkruan Qëndresa Qytetare.

Këto zgjedhje u shoqëruan edhe me denoncimin se rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha dhe dekania e fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha kanë kryer plagjiaturë në punimin e doktoraturës.

Qëndresa Qytetare ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të pezullohen zgjedhjet në këtë universitet deri në shqyrtimin e pretendimit për plagjiaturë, kërkesë që nuk është marrë parasysh nga MAS.

Kandidatë për dekan në Fakultetet e Universitetit të Tiranës:

-Fakulteti i Ekonomisë- ikën nga drejtimi Dhori Kule, Bernard Dosti kandidat i vetëm (deri më tani mbante detyrë e zv/rektorit)

-Fakulteti i Drejtësisë- Dorina Hoxha, kandidate e vetme (aktualisht e drejton).

-Fakulteti i Gjuhëve të Huaja- Esmeralda Kromidha, kandidate e vetme (aktualisht e drejton).

-Fakulteti i Histori-Filologjisë – largohet Sabri Laçi, në garë Mark Marku dhe Dhimitër Doka.

-Fakulteti i Shkencave të Natyrës- largohet Spiro Dushku, në garë Eglantina Kalluçi dhe Endrit Xhina.

-Fakulteti i Shkencave Sociale – ikën nga drejtimi Edmond Rapti, në garë Edvin Lame dhe Eliona Kulluri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë