Provimet e Maturës 2024 nisin këtë të hënë me provimin e Gjuhës së Huaj, ndërsa më 10 qershor zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe më 18 qershor provimi i matematikës. Gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit që do të ndjekin nga afër provimet e maturës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kërkoi zbatimin me përpikmëri të rregullores së Maturës Shtetërore.
“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” u shpreh Manastirliu.
Ajo deklaroi se do të ketë një angazhim maksimal nga ana e punonjësve të arsimit, ndërsa kërkoi që procesi të jetë sa më transparentë. Për mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të jenë rreth 1900 administratorë, të cilët do të monitorojnë grupet e maturantëve.
“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta”, u shpreh Manastirliu.
Matura Shtetërore 2024:
3 qershor, provimi i Gjuhës së Huaj
10 qershor, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë
18 qershor, provimi i Matematikës
24 mijë nxënës maturantë
1900 administratorë
200 përgjegjës të administrimit
250 administratorë të sekretimit
290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të veçanta
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.