Ekonomi

Matjet e Eurostat e nxjerrin inflacionin në Shqipëri më të lartë se INSTAT

Nga Gazeta ‘SI’ – Inflacioni në vend gjatë shkurtit raportohet 2.4%, sipas matjeve të Eurostat. Për të njëjtin muaj, INSTAT thotë se inflacioni ishte 1.9%.

Matur sipas metodës europiane, rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur në grupin e argëtimit dhe kulturës me 5.9% dhe pijet alkoolike e duhani e 4.1%.  Me rritje po ashtu vihen re edhe grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.1% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.9%, “Veshje dhe këpucë” me 2.3%.

Inflacioni mesatar për shkurtin në Europë ishte 2.7%. Vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë janë Maqedonia e Veriut me 6%, Hungaria me 5.7%, Rumania me 5.2% si dhe Kroacia dhe Serbia me 4.8% dhe 4.7% respektivisht.

Sipas shpjegimit të dhënë nga institucionet statistikore, inflacioni i harmonizuar sipas Eurostat mat ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të konsumatorëve sipas produkteve, ndërsa inflacioni që matet nga autoritetet vendase mat ecurinë e çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë