Turneu Masters i Romës në fushë me dhé nuk shënoi surpriza të mëdha në raundin e parë të tij.
Novak Djokoviç u kualifikua për më tej, pasi mundi Alexander Dolgopolov. Tenisti serb, numri 18 i botës, e fitoi përballjen me ukrainasin në dy sete. Djokoviç ishte superior ndaj Dolgopolov dhe i fitoi pa shumë vështirësi setet e këtij takimi, 6-1 dhe 6-3.
U kualifikua për në raundin e dytë edhe Kei Nishikori. Tenisti japonez e nisi aventurën e tij në turneun Masters të Romës me përballjen ndaj Feliciano Lopezit. Nishikori vuajti jo pak në ndeshjen me spanjollin, të cilin e mposhti 2-0 (7-6 dhe 6-4), pas rreth 2 orësh lojë.
Shumë të lehtë e pati sfidën e tij David Goffin. Belgu, numri 10 i renditjes ATP eliminoi Leonardo Mayer, të cilin e mundi 2-0. Goffin iu desh pak më shumë se 1 orë lojë për të fituar ndeshjen me argjentinasin, duke i mbyllur setet 6-1 dhe 6-2.
Vijon rrugëtimin e tij në turneun Masters të Romës edhe Pablo Carreno-Busta, i cili fitoi ndaj amerikanit Jared Donaldson 2-1, në 1 orë e 39 minuta lojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.