Ana e errët

Mashtruesit, ‘artistët’ e krimit / Nga vizat për të emigruar tek premtimet për martesë

“E njoha përmes Facebook-ut dhe më pas shkëmbyem numrat e telefonit. I kërkova të më nxjerrë dy viza pune për në Angli për tim vëlla dhe shokun e tij. Ajo pranoi dhe në shkëmbim, më kërkoi 17 mijë euro”.

Ky është rrëfimi i një gruaje, e cila është në radhën e shtetasve që u mashtruan nga një 38-vjecare nga Tirana, e cila herë shtirej sikur kishte studio, herë sikur kishte njohje të forta dhe herë sikur ishte profesoreshë.

Gruaja e vendosur nën hetim dhe e referuar për mashtrim, po procedohet nën masën e detyrimit me paraqitje për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, thanë burimet e sigurta të Gazetasi.al.

Në gjurmët e E.T., bëhet me dije për Gazetasi.al, se u ra së pari nga denoncimi i një vajze edhe ajo e mashtruar. “Kam një studio grafike  dhe mora kërkesë nga një qytetare për të bërë një certifikatë për universitetin M.B”, - rrëfen denoncuesja e parë në dosjen që iu tregua Gazetasi.al, nga Departamenti kundër Krimit Ekonomiko-Financiar.

“Duke qenë se ishte puna e parë, i dërgova dhjetë modele dhe pasi shtetasja bëri porosinë, vendosi një model për të cilin bëri 15 certifikata, të cilat në total kapnin vlerën e 1 mijë lekëve”, - kujton e reja e mashtruar. Midis të dyjave, ka vijuar bashkëpunimi dhe pas një viti porosish të shumta ‘online’, gruaja është përballur me denoncuesen.

“U takuam tek një bar’ dhe në atë moment ajo mori një telefonatë dhe aty kuptova se ajo mund të nxirrte viza pune me kontrata të rregullta. Vendosa t’ia kërkoj dhe unë këtë gjë”.

Gruaja e veshur bukur, tepër serioze dhe aspak në dukje si një mashtruese , i ka sugjeruar qytetares që si fillim duhet të shkonin tek konsullata angleze që ndodhet pranë një qendre tregtare. Aty duhet të aplikonte për vizë.

“Më pas, pasi i pagova shumën që më kërkoi, i dorëzova gjithë dokumentacionin që kisha plotësuar, sepse do ta bënte ajo aplikimin. Ajo më tha, - shton më tej e mashtruara, - se procedura do mbyllej shumë shpejt”. Por megjithë kohën që ka kaluar, e reja nuk ka marrë asnjë përgjigje prej saj.

E mashtruara e dytë, është sërish një grua. “Ajo m’u prezantua si pedagoge”, - thotë A.P. Pedagogia e rreme ekspozohej si një profesoreshë e licencuar në testet e gjuhëve të huaja.

“I afërmi im deshi të mbrojë gjuhën angleze dhe gjermane dhe e pyeta sa kushtonte secila. M’u përgjigj se testi i anglishtes kushtonte 1.100 euro dhe testi i gjermanishtes 700 euro”.

Pas vendosjes së çmimit, gruaja e mashtruar dërgoi shumën si paradhënie prej 500 eurosh, të cilën mashtruesja e mori përmes një personi që e kishte prezantuar si shoferi.

”Aplikuam për testin  dhe e akuzuara më dërgoi certifikatën e gjuhës së huaj anglisht, por na u duk e falsifikuar, ndaj dhe kërkuam shpjegime për mënyrën se si e kishte siguruar dhe çfarë procedure kishte ndjekur pas testit”,- akuzon e reja në policinë e Tiranës.

E vënë nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda, 38-vjeçarja pranon se e mori shumën prej 17 mijë eurosh për viza pune të ndara në tre këste.

“E mora këtë shumë, sepse do aplikoja për vizë për t’i ndihmuar dhe në të tre rastet ishim vetëm, s’ka pasur person tjetër midis nesh”, - deklaron në polici mashtruesja.

Por Ambasada angleze ishte e mbyllur dhe shuma prej 17 mijë eurosh u shpenzua shumë shpejt. Në këqyrjen e telefonit të gruas, policia i deklaron Gazetasi.al, se gjeti në cilësinë e provës materiale certifikata të dërguara në adresë të një personi me inicialet  E.M. Midis personave të pyetur, është edhe një shtetas që ajo e prezantonte si shoferi.

“Punoj si taksist dhe e pandehura është kliente e kompanisë, njohja me këtë shtetase është vetëm si taksist. Nuk kam njohje personale. Ajo ka ardhur katër herë në Tiranë dhe e kam shoqëruar në vendet ku ajo kishte punë. Ajo më tregoi se ishte pedagoge në Tiranë dhe në Fier. Në një rast kam takuar një grua me inicialet A.P., që më dha një zarf, e kuptova që ishin para, por nuk e hapa. I mora dhe shkova në Fier, ku banonte e akuzuara dhe ku ishte porositur taksia dhe ia dhashë. Për çdo veprim që kam kryer, kam njoftuar kompaninë”, - thotë i riu, ndaj të cilit dyshimet se mund të ishte bashkëpunëtor u rrëzuan automatikisht.

Pedagogia e rreme, pranon gjithashtu se mori shumën për provimin ‘online’ të testit, por nuk e kreu regjistrimin e të interesuarve, pasi provimi nuk u krye. “Ia kam marrë paratë shtetases A.P., por qëllimi ishte për ta ndihmuar”, - justifikohet e akuzuara.

Naivët më të mëdhenj, ata që duan të martohen dhe të fitojnë shpejt

Shtetasja L.T., e njohu mashkullin ideal gjatë bisedave për zbulimin e njëri- tjetrit. Ai tha se quhej H.S., ku për shkak të mos përputhjes ishte ndarë nga bashkëshortja dhe se ishte jo vetëm në kërkim të gruas perfektë, por edhe në kërkim të një toke, ku do të ndërtonte një shtëpi.

Mashtruesi doli që ishte nga Maqedonia e Veriut dhe gruaja që ra në dashuri me të është një 27-vjeçare, që të ardhurat e saj i transferoi në adresën e “princit” të zhgënjyer nga jeta.

Në dosjen që iu vu në dispozicion Gazetasi.al, përmendet: “Kallëzuesja ka pranuar ta ndihmojë financiarisht dhe fillimisht i ka dërguar një shumë prej 3.300 euro dhe më pas edhe një shumë prej 2.500 euro”.

Pas ndihmës së parë, ajo udhëtoi drejt Maqedonisë së Veriut për t’i dhënë fund njohjes virtuale, pasi të dy ata për dy vjet me radhë vetëm komunikonin në Facebook dhe në telefon. Premtimi i radhës i burrit të divorcuar ishte se ata duhet të martoheshin, pasi ai nuk jetonte dot pa L.

“Kur është kthyer sërish në Shqipëri, kallëzuesja i ka dërguar para në vazhdimësi H., të cilat në total shkojnë në shumën e 23.875 euro. Shumat janë dërguar në rrugë postare nëpërmjet bankës “U. U”.

”I akuzuari këmbëngul policia në hetimin e saj e mbajti të lidhur për 9 vite  me radhë të renë, duke mos e lejuar të krijonte një histori tjetër, me premtimin se ata të dy ishin bashkë dhe për çështje kohësh. Sapo letrat e divorcit të mbylleshin përfundimisht, ata do dilnin hapur”.

Historia e nisur në prill 2010, ishte në kulmin e saj më të bukur për 6 vitet e para, gjatë të cilave, denoncuesja udhëtoi shpesh në Maqedoni me bindjen se partneri ishte një burrë që kishte dalë nga një martesë e dështuar.

“Më pas, kallëzuesja është vënë në dijeni se H. ishte i martuar dhe se e kishte mashtruar duke i thënë se do të martohej me të. Ajo i ka kërkuar që t’i kthente paratë që i kishte dërguar, por i pandehuri H., i ka thënë se nuk do t’ia jepte paratë duke iu shprehur: ‘Ik shiko jetën tënde, se nuk t’i jap paratë’. Me pas ai ka ndërprerë çdo kontakt me kallëzuesen, duke i përvetësuar shumën e mësipërme. Për shumat e dërguara të pandehurit, kallëzuesja disponon dokumentet, fatura për dërgim parash në emër të saj dhe të familjarëve të saj në adresë të të pandehurit në Zvicër, sipas adresës së dhënë nga i pandehuri”.

Dosja hetimore, tregon se në cilësinë e provës janë administruar 14 copë fatura, për dërgim parash në adresë të të pandehurit, një foto e banesës së ndërtuar nga i pandehuri, si dhe 5 copë fotografi të pandehurit me familjaret e tij.

Më tej, në dosjen që iu vu në dispozicion Gazetasi.al, thuhet : “Nga këqyrja e sistemit TIMS, rezulton se i pandehuri ka hyrë për në Republikën e Shqipërisë më 2020-ën dhe daljen e fundit korrik 2020 . Bazuar në analizën e të dhënave të mësipërme, arrihet në konkluzionin se me veprimet e tij, i pandehuri ka marrë nga shtetasja një shumë të konsiderueshme kundrejt premtimit se do të martoheshin dhe se shumën e mësipërme do ta investonte për të ndërtuar një banesë të përbashkët, ku do të jetonin pas martesës. Nëpërmjet gënjeshtrës, i ka vjedhur asaj shumën e mësipërme, duke i sjellë pasoja të rënda financiare dhe duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale ‘Mashtrim’”, - thuhet në dosjen penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë