Nga Sabina Veizaj - Banka e Shqipërisë reagon në lidhje me mashtrimin e bërë nga Fondi “Besa” duke sqaruar për Gazeta “Si” se “ po e ndjek nga afër të gjithë procesin dhe në varësi të konkluzioneve të inspektimit, si dhe hetimeve nga organet ligjzbatuese, do të marë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.”
Si autoritet mbikëqyrës që ndjek të gjitha subjektet e licencuara prej saj, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut, si dhe ndikimin në stabilitetin financiar të vendit, edhe për sa i përket Fondit Besa, Banka e Shqipërisë thotë se ka kryer mbikëqyrje të vazhdueshme, në përputhje dhe brenda kuadrit ligjor në dispozicion të Bankës së Shqipërisë dhe ka dhënë rekomandime konkrete në lidhje me ushtrimin e aktivitetit kredidhënës dhe në funksion të parandalimit të rreziqeve operacionale.
Por Banka e Shqipërisë nuk sqaron nëse gjatë mbikqyrjes të ketë rezultuar ndonjë problematikë në lidhje me Fondacionin “Besa”.
Megjithatë Banka e Shqipërisë vlerëson se ky akt mashtrimi nuk cënon stabilitetin dhe qëndrueshëmrinë e sistemit bankar në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë risjellë në vëmendje në përgjigje të Gazetës “Si” se, subjektet financiare jobanka janë institucione financiare, që ushtrojnë veprimtaritë financiare, të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe rregullativ, të tilla si kredidhënia, mikrokredia, faktoringu, qiraja financiare, shërbimi i pagesave dhe transferimit të parave, emetimi i parasë elektronike, këmbimi valutor, etj.
Në ndryshim nga bankat tregtare, thotë BSH, subjektet financiare jobanka nuk pranojnë depozita nga individët dhe sigurojnë financim nga burimet e vetë aksionarëve. Në këto kushte, këto subjekte kanë përmasa shumë herë më të vogla se bankat tregtare dhe si të tilla, konsiderohen me nivel relativisht të ulët rreziku.
Fondi Besa është subjekt financiar jobankë, i licencuar nga Banka e Shqipërisë me licencën nr.10 datë 26.12.2008. Totali i aktiveve të Fondit Besa sipas të dhënave të raportuara deri në mars 2019 është rreth 14.7 miliardë lekë, ose 1% e aktiveve të sistemit bankar. Numri i kredimarrësve aktivë të subjektit është rreth 33 mijë.
Ngjarja e mashtrimit
Operacioni i koduar “Kredia” shpuri në pranga në fundgusht 7 punonjës të fondacionit monetar “Besa” të cilët kishin mbërritur të krijonin një skemë mashtrimi marramendëse duke përfituar një shumë që shkon në 3.7 mln euro.
Kallëzimi në Prokuroi është bërë prej drejtuesëve të fondacionit ndaj punonjësve.
Pas hetimeve të policisë së Tiranës u zbulua se e gjithë skema favorizohej dhe organizohej nga drejtoresha e një prej filialeve të fondit “Besa” Albana Imami.
Ajo u arrestua së bashku me 4 punonjës te tjerë me të cilët ka bashkëpunuar në dhënien e kredive fiktive.
Në pranga u vunë edhe një ish oficer kredie i fondit dhe një sekser i cili ndërmjetësonte gjetjen e personave për kredi fiktive.
Prej hetimeve ka rezultuar se klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit, por ata paraqiteshin vetëm në momentin e disbursimit të kredisë, kur duhet të tërhiqnin shumën e parave. Nga shuma e aplikuar ata merrnin 25 deri në 35% të saj, ndërsa pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficerët e Kredisë dhe Sekserët.
Mandej drejtoresha lëshonte një vërtetim fiktiv, që e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shumat e disbursuara shkojnë deri më tani në vlerën 2 mln euro, por dyshohet se vlera mund të jetë edhe më e madhe.
Për të mbuluar skemën e mashtrimit nga Drejtoresha e Degës, janë marrë edhe shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm, të cilat arrijnë deri në 1.7 milion euro.
Krahas 7 të arrestuarve në kërkim është shpallur edhe një tjetër pjesëtar i grupit qe luante rolin e sekserit. Ndaj këtyre personave rëndojnë akuzat e “Skemave mashtruese dhe piramidale” si dhe “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën ”.
Pjesë e mashtrimeve komuniteti rom dhe egjiptian
Fondacioni “Besa” ka përdorur për të kryer mashtrimin e saj galopant komunuitetet vulnerabël të romëve dhe egjiptianëve të cilët qëndrojnë në Lanabregas dhe Shkozë.
Në këto zona janë rreth 140 familje, të cilat në errësirë të plotë të mashtrimit që po u bëhej kanë aplikuar për kredi për nevojat e tyre.
Ata thanë për Top Channel se pjesëtarë të fondacionit janë paraqitur si bosa dhe u kanë thënë që do pastrojmë para nëpërmjet fondacionit “Besa” dhe ata dhënë kartat e identitetit të tyre për të aplikuar për kredi.
Dëshmitë e personave të komunitetit rom dhe egjiptianë tregojnë se nga nevoja kanë rënë pre e mashtrimit.
“Erdhi dhe na tha se nuk do të kemi probleme. Ne jemi të varfër dhe i morëm ato para, u blemë fëmijëve. Neve na kanë mashtruar”, tha një prej tyre.
Në dosjen e prokurorisë, rezulton që shtetasi Dritan Kalthi, ka qenë një nga personat i cili gjente klientë për Fondacionin Besa. (i njohur ndryshe si Tani), ai u kishte dhënë garanci se ata që do të aplikonin nuk do të kthenin asnjë qindarkë në fondacion.
Procedurat për kreditë fiktive janë kryer në Fondacioni Besa pa prezencën e klientëve. Ata që kanë aplikuar, janë paraqitur pranë degës vetëm në momentin e firmosjes për të tërhequr paratë.
“Kemi shkuar atje dhe kemi firmosur një copë letër dhe paratë i kanë marrë të tjerët”-thonë ata.
Personat e mashtruar kanë përfituar nga skema e mashtrimit 40 mijë lekë të reja, por siç thonë vetë ata pas 8 muajsh u kanë trokitur në derë dhe përmes një letre i kanë detyruar të paguajnë për kredinë që nuk e kanë përfituar kurrë.
Dëshmitë
Ervis Doko, bashkëjetuesi i Orkida Drizës, sekseres së fondacionit “Besa”, disa ditë më parë do të jepte dëshminë lidhur me skemën e mashtrimit në Fondacionin “Besa”.
Sipas tij, ai është mashtruar nga drejtuesit e fondacionit dhe se ai dhe bashkëjetuesja e tij kryenin rolin e sekserit.
Doko ka shpjeguar se, skema ishte e thjeshtë. Për kredinë duhej vetëm çertifikata dhe fotokopje. Përfitueist merrnim një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra dhe brenda vitit kredia mbyllej. Doko do të deklaronte se nuk ishte në dijeni se procesi ishte mashtrim.
Ai do të deklaronte gjithashtu se për çdo person që dërgonte në fondacion përfitonte 20 mijë lekë të vjetra. Më shumë se 100 persona do të thoshte Doko se ka çuar te “Besa” brenda një viti.
Po ashtu edhe Orkida Driza do të deklaronte se ishte e gatshme të bashkëpunonte me drejtësinë pasi edhe ajo nuk ishte në dijeni të skemës së mashtrimit.
Fondi "Besa"
Fondi Besa është institucion financiar jobankar. Sipas të dhënave në faqen e saj të internetit ajo ka shtrirje në të gjithë Shqipërinë dhe mbi 32 mijë klientë në total në fushën e mikrokredisë. Portofoli i saj i kredive rezulton 11.44 miliardë lekësh për 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.