Ka ndodhur

Mashtrime përmes ‘Call Center’, arrestohet në Dubai 32-vjeçari shqiptar Merxhan Çeliku

Gazeta Si - Merxhan Çeliku, 32-vjeçari i shpallur në kërkim i akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që përfitonte shuma të mëdha parash, duke mashtruar shtetas nga Shqipëria, RMV-ja, Gjeorgjia dhe Ukraina, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Falë shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare, Interpol dhe autoriteteve në Abu Dhabi u bë i mundur arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Zbulimi i skemës së mashtrimit që dyshohet se kishte shkaktuar një dëm ekonomik prej më shumë se 50 milionë euro ndodhi në nëntor të vitit 2022 operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle në Bashkëpunim me SPAK.

Autoritetet zbuluan 15 call centera të ngritura 6 në Shqipëri dhe të tjerat në Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëpërmjet thirrjeve telefonike të punësuarit në këto call centre u prezantoheshin qytetarëve si ndërmjetës që do t’i ndihmon të investonin në kriptovaluta shuma të vogla parash dhe përfitimet më pas do të ishin kolosale.

Por këto shuma që investoheshin nga qytetarët, kryesisht të vendeve të BE, përvetësoheshin nga ky grup kriminal. Të mashtruarit llogariten me mijëra nga shtete të ndryshme të botës dhe dëmi i shkaktuar ndaj tyre llogaritet në 50 milionë euro në çdo tremujor.

Ky është arrestimi i 3-të brenda pak javësh në këtë vend pas arrestimit të Juljan Meçajt dhe Denis Brajoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë