Ka ndodhur

Mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, arrestohet ish-kreu i Kadastrës së Gjirokastrës

Gazeta Si - Ish-kreu i Kadastrës së Gjirokastrës, Florian Taçi, 45 vjeç, është arrestuar nën dyshimin për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.

Ishte një operacion i përbashkët i koordinuar mes Policisë së Tiranës asaj të Gjirokastrës, Prokurorisë dhe Gjykatës së Faktit Gjirokastër që finalizuan aksionin për arrestimin e Taçit dhe ish-bashkëpunëtorit të tij në Kadastrën e Gjirokastrës, Alban Memishaj, 37 vjeç.

Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Taçi dhe Memishaj kanë falsifikuar dokumentet e disa pronave, duke përdorur vulën e një subjekti të palicencuar nga organet kompetente.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasit, 45 vjeç dhe 37 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e disa pronave, duke përdorur vulën e një subjekti të palicencuar nga organet kompetente”, - njofton policia.

Sipas burimeve, që të martëm në mbrëmje, policia ushtroi kontroll në zyrën e tij avokatore në Gjirokastër, ku sekuestruan dokumente të shumta që i shfrytëzonte Taçi, të cilat kishin të bënin me të gjithë databazën e Kadastrës së Gjirokastrës. Njëkohësisht, Taçi kishte akses në këtë databazë online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë