Ngjarje

Masat lehtësuese mbeten pezull, në tregje vihen tunele dezinfektimi (video)

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se duke filluar nga java e ardhshme mund të ketë një lehtësim të vogël të masave kufizuese, por ashpërsim të masave ndëshkimore për të gjithë shkelësit, deri tek arrestimi i tyre.

Sipas atyre që tha Rama, pritet që të zgjatet orari i lejueshëm për ofrimin e shërbimeve për bankat dhe njësitë tregtare që nuk janë pjesë e qendrave tregtare, apo që nuk bëjnë grumbullime masive njerëzish, ndërsa lokalet, restorantet dhe palestrat do të vijojnë të mbeten të mbyllura.

Lehtësim do të ketë edhe për lëvizjen me automjetet personale. Rama kërkoi prej bizneseve që do t’u lejohet rifillimi i aktivitetit që t’u përshtaten standardeve të sigurisë në ofrimin e shërbimeve, që do të thotë se duhet të pajisin punonjësit maska, doreza dhe dezinfektantë, të shmangin grumbullimet masive dhe gjatë orarit të punës të ruhet distancimi social.

Kryeministri theksoi se kjo nuk do të thotë se lufta me virusin është fituar, përkundrazi rreziku mbetet ende i madh. Për këtë, ai solli si shembull rritjen e numrit të të infektuarve në ditët e fundit duke sjellë si shembull rastet e Shkodrës, ku përhapja e virusit u rrit për shkak të shpërfilljes së këshillave për të distancimit social.

Dyndja, tregjet në Tiranë bëhen me tunele sanitare

Tregjet, kryesisht ato të fruta-perimeve kanë qenë vendet më problematike këto ditë përsa i përket mungesës së ruajtjes së distancës. Pavarësisht thirrjeve për kujdes, qytetarët janë dynduar nëpër pikat e shitjes në Tiranë, duke shkelur rregullin e distancimit social.

Bashkia e Tiranës thotë se duke filluar nga e hëna, kjo problematikë do të zgjidhet. Policia dhe ushtria do të kontrollojnë hyrje-daljet e tregjeve dhe asskush nuk do të lejohet që të hyjë në treg pa patur më parë autorizimin e daljes.

Një prej tregjeve më problematikë është vlerësuar ai në Kombinat. Bashkia ka vendosur në këtë treg një kordon sanitar për dezinfektimin në hyrje dhe në dalje të qytetarëve. Tregu do të ketë vetëm një hyrje dhe një dalje, pa pasur mundësi kthimi pas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë