Ana e errët

Masakra mbi kafshët e rralla. Hetim pas këqyrjes së një llogarie në YouTube

Disa fotografi me kafshë të balsamosura kanë shqetësuar seriozisht dy prokurori në vend, njëra prej të cilave ka kryer veprimet paraprake ndërsa tjetra përkatësisht ajo e Elbasanit pritet të kryejë veprimet e mëtejshme. Vrasja e një rrëqebulli të Ballkanit në fshatrat e Elbasanit, që konsiderohet i mbrojtur nga Konventa e Bernës dhe konventa ndërkombëtare për tregëtinë e specieve në rrezik, fillimisht u ka hapur punë ekspertëve të kibernetikës që janë fokusuar tek kontrolli on-line i disa llogarive.
Çështja u hap pas një kallëzimi të deleguar nga policia e kryeqytetit, ku pretendohet se shtetasi A.K. vret për qëllime tregëtimi kafshë të mbrojtura nga ligji. Denoncimi sipas burimeve të gazetës “Si” u dorëzua nga shtetasi A.T. përfaqësues i PPNEA (shoqata e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit natyror në Shqipëri). Ai tregon se ka rënë në dijeni që në një lokal në Bradashesh ekspozohen pamje filmike ku shfaqet një kafshë tepër e rrallë dhe e mbrojtur me ligj siç është rrëqebulli, ndërsa aty ndodhen edhe kafshë të tjera të balsamosura. Vrasja e specieve të mbrojtura sipas dyshimeve më pas ekspozohet në internet me qëllim tregëtimin e tyre, kurse balsamosja e tyre realizohet nga veterinerë të zonës.

Në lokalin që ekspozon kafshë të rralla të balsamosura. Gazeta "Si", korrik 2020

Kallzuesi shton - sipas burimeve të gazetës “Si” - se “vrasja e species së rrallë ka ndodhur në malësitë Martanesh-Shëngjergj dhe është bërë me qëllim që të balsamosej”. “Në këtë restorant ka shumë kafshë të tjera të balsamosura që janë shpallur kafshë me rrezik të lartë për t’u zhdukur dhe cilësohen si specie të faunës së egër, si ariu i murrmë apo kaprolli. Kjo specie mbrohet me ligj dhe akte nënligjore pasi është në numër mjaft të vogël dhe bë më pak se 10 individë”, denoncon shtetasi A.T. Prokurori në vendimin e moskopetencës ku delegohet dosja për arsye territoriale në Elbasan, ilustron këqyrjen në YouTube ku shtetasi i denoncuar ka postuar pamje nga kapja e dhive të egra prej tij dhe disa gjuetarëve të tjerë. Edhe në faqen e klinikës ku punojnë shtetasit J.B. dhe L.B. janë publikuar foto të ekzemplarëve të faunës së egër dhe të balsamosura.
Dyshimet për dëmtim të specieve të mbrojtura dhe tregëtim të tyre do të hetohen nga Prokuroria e Elbasanit, shtoi një burim i sigurtë i gazetës “Si”, sipas të cilit, veprimet kushtëzohen nga vendndodhja e të hetuarve, por edhe e lokalit “Ke Rr..”.

Në lokalin që ekspozon kafshë të rralla të balsamosura. Gazeta "Si", korrik 2020

Denoncuesi që përfaqëson një qendër për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror, flet para prokurorit për rrëqebullin e Ballkanit me detaje dhe shpjegon se kafsha klasifikohet si një nënlloj i rrezikuar në listën e kuqe botërore. Duke folur për vrasjen e njërit prej tyre në Shqipëri, kallëzuesi tregon: “Pashë videon nga njëri prej punonjësve, ku shfaqeshin momentet e vrasjes së rrëqebullit, natën nën efektin e prozhektorëve”. Jo vetëm kaq, por sipas kësaj qendre, në këtë lokal gjendeshin edhe kafshë të tjera të balsamosura.
“Duke ditur që i vetmi veteriner gjendet në zonë, kemi dyshime se balsamimi kryhet nga shtetasi L.B. dhe mjeku tjetër J.B. që ushtrojnë veprimtarinë e tyrë në fshatin Kuqan”, thuhet në dosjen që gazeta “Si” disponon. Por pas administrimit të këtyre të dhënave si dhe një sërë fotografish të tërhequra nga uebfaqja e lokalit “Ke Rr….”, prokurorët do të marrin në pyetje edhe personat që përmenden në denoncim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë