Ngjarje

Masakra e Nisës, arrestohet pas 5 vitesh bashkëpunëtori shqiptar i atentatorit

Një 28-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Itali, i akuzuar si bashkëpunëtor i masakrës së Nisës në 14 korrik 2016, ku humbën jetën 80 persona.

Mediat italiane, bëjnë me dije se në pranga ka rënë Endri Elezi, i cili u arrestua në Sparanise, në provincën e Kazertës. I riu shqiptar ishte në kërkim pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet franceze, pasi dyshohet se ai ishte përgjegjës për furnizimin me armë të autorit të masakrës, Mohamed Lahouaiej Bouhlel.

Shqiptari u identifikua nga agjentët e policisë së Napolit dhe Kazertës, të koordinuar nga zyra e prokurorit të Napolit, falë informacionit të mbledhur nga Antiterrorizmi.

Në masakrën e 14 korrikut të vitit 2016 në Nicë të Francës, humbën jetën mbi 80 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, kur një kamion qëlloi mbi turmën e mbledhur për të festuar ditën e kombëtare të 14 korrikut.

Gjatë momentit të ndalimit, Elezi ishte në shoqëri të disa bashkëkombësave të tjerë dhe një fëmije, ndoshta djali që kishte nga lidhja me partneren e tij. Por grupi hetimor nuk ka dhënë shumë informacione në lidhje me rrjetin e mundshëm të mbështetësve të shqiptarit.

Mediat shkruajnë se ai kishte mbërritur në Kazerta jo shumë kohë më parë dhe ishte përpjekur të integrohej me komunitetin e madh të shqiptarëve që jetonte në Sparanise.

Por prania “e re”, është vënë re nga agjentët e Digos-it, të cilët kanë hetuar "pikat e ndjeshme" ku terroristët e dyshuar mund të lënë gjurmë, nga xhamitë, transferimet e parave, deri te stacionet e trenave.

Në fakt, Elezi nuk i frekuentonte xhamitë ose vendet e tjera të besimit, por atij iu kushtua vëmendje sepse ishte hera e parë që pikasej në grupin e shqiptarëve.

Kur policia u sigurua se ai mund të ishte subjekti i kërkuar nga autoritetet franceze për masakrën e Nisës, iu vunë menjëherë prangat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë