Ngjarje

Masakër në Vlorë, 24-vjeçari ekzekuton 8 anëtarë të fisit të vet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në qytetin e Vlorës. Tetë persona nga i njëjti fis kanë mbetur të vrarë si pasojë e çmendurisë së një të riu.

Krimi i shumëfishtë ka ndodhur në fshatin Resulaj të Bashkisë së Selenicës, Vlorë.

Paraprakisht policia njofton se autori është shtetasi Ridvan Zykaj, 24 vjeç. Dyshohet se i riu ka vrarë me breshëri automatike tetë personat nga dy familje të ndryshme po të fisit të vet.

Motivet e ngjarjes së rëndë mbeten ende të paqarta për policinë, por dyshohet se shkak ka qenë një konflik pronësie dhe se autori vuan nga çrregulime mendore.

Ekzekutimi i viktimave është bërë me armë automatike të llojit Kallashnikov. Të shtënat kanë tronditur fshatin, ndërsa autori është larguar menjëherë dhe mendohet se me vete ka edhe armën e krimit.

Për shkak të rrezikshmërisë së tij, veç forcave të gatshme të Policisë së Shtetit në Komisariatin e Vlorës është kërkuar edhe ndërhyrja e forcave speciale. Nga Tiranë është nisur edhe grupi RENEA, ndërkohë që në aksion janë përfshirë edhe Delta Forcë dhe Forcat e Ndërhyrje së Shpejtë.

Për të shmangur përshkallëzimin e tragjedisë, Policia e Vlorës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin sa më shpejt të vendndodhjes së autorit të krimit. Për këtë, uniformat blu kanë vendosur në dispozicion numrin 069 41 10 242, si dhe në numrin pa pagesë 129, duke garantuar anonimatin e telefonuesve.

Policia e Vlorës sqaron se autori është tejet i rrezikshëm dhe në rast konstatimi, u kërkon qytetarëve që ta shmangin dhe të mos ndëhyjnë, por të telefonojnë menjëherë në numrat e mësipërm.

Kjo nuk është hera e parë që krime të ngjashme godasin zonën e Vlorës në kulmin e sezonit turistik, por për nga përmasat është më e madhja.

Në gusht të 2016, disa kilometra më tutje, qyteti i Himarës dhe mbarë Shqipëria u trondit nga krimi makabër i Jorgo Zanit, 30-vjeçarit që i preu kokën nipit të tij 12-vjeçar, Andrea Zani, ndërkohë që në fund të korrikut të 2013, një sherr i rëndomtë degjeneroi në përdorimin e armëve në një plazh privat në zonën e Ujit të Ftohtë.

Për pasojë tre persona humbën jetën, dy prej të cilëve pa lidhje me ngjarjen, por që u kapën nga plumbat rikoshet. Në atë kohë, policia arrestoi një 18-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë