Nga Gazeta Si - Është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe University of Natyral Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri.
Kësaj marrëveshje i ka paraprirë nënshkrimi, një muaj më parë, i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrive të Arsimit dhe të Bujqësisë së Shqipërisë dhe Austrisë, me qëllim për të transformuar dhe modernizuar Universitetin e Bujqësor të Tiranës.
Universiteti Bujqësor i Tiranës nis kështu rrugën e reformimit sipas standardeve të Universitetit BOKU të Vjenës, një prej universiteteve më të mira europiane në fushën e zhvillimit bujqësor, ushqimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Me këtë marrëveshje synohet reformimi total i ofertës akademike për të ofruar programe studimi ndërkombëtare dhe të orientuara nga tregu i punës; Programe master në gjuhën angleze të njëjta me Universitetin BOKU; Shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve; riorganizimin e njësive të kërkimit shkencor; digjitalizimin; ndërkombëtarizimin e programeve të studimit si dhe riorganizimin institucional të UBT sipas përvojës së BOKU.
“Për herë të parë qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit vendos një kontribut financiar për këtë program ndërkombëtarizimi me rreth 2 milion euro për këtë projekt, me besimin se do të jetë një proces që do t’i japë një shtysë dhe kërkimit shkencor të UBT-së”, tha Ministrja Manastirliu.
Në 4 vite synohet të përmbushet transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU.
Marrëveshja u firmos sot nga rektorët Eva Schulev-Steindl i Universitetit BOKU të Vjenës dhe Fatbardh Sallaku i UBT, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj si dhe pedagogëve e studentëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një moment historik dhe tani u takon të gjithëve që të kenë ambicien personale jo vetëm si akademikë por dhe si shqiptarë që këtë universitet ta transformojnë në një flamur të krenarisë për të gjithë shqiptarët.
“Me mbështetjen e partnerëve austriakë, kushtet për t’u rritur profesionalisht, për t’u përmirësuar dhe për t’u bërë stafi akademik i një universiteti europian janë të garantuara. Qeveria do jetë një mbështetje e vazhdueshme”, tha Rama.
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se për UBT do të fillojë një proces transformimi rrënjësor, duke nisur nga rishikimi i programeve, kurrikula, trajnimi i stafit akademik, tek hapja e mundësive të reja të kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.