Lojëra me Dore

Marrëveshje historike, Shqipëria dhe Kosova me Ligë Unike

Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Federata e Basketbollit të Kosovës kanë firmosur mbrëmjen e së enjtes një marrëveshje historike, krijimin e Ligës Unike, apo Ligës së përbashkët në basketboll. Prej 10 shtatorit, Shqipëria dhe Kosova do të kenë një kampionat të përbashkët.

Marrëveshja për bashkimin e ligave është firmosur në Tiranë nga dy presidentët e federatave përkatëse, Avni Ponari dhe Arben Fetahu, pas një serie të gjatë takimesh dhe bisedimesh. Kampionati quhet “Liga Unike” dhe pjesëmarrës do të jenë tetë skuadra, katër nga Shqipëria dhe katër nga Kosova. Shqipëria do të përfaqësohet me Teutën, Goga Basket, Partizanin dhe Vllazninë, kurse Kosova me Sigal Prishtinën, Rahovecin, Pejën dhe Golden Eagle Ylli.

Presidentët e federatave, Avni Ponari dhe Arben Fetahu, firmosin marrëveshjen. Gazeta Si, 11 shtator 2020

Në takimin e zyrtarizimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por edhe presidenti i FIBA-s (Fderatës Ndërkombëtare të Basketbollit), Turgai Demirel. Pas takimit, Federata Shqiptare e Basketbollit, në faqen e saj zyrtare shkruante: “Kjo ishte finalja e madhe, e jashtëzakonshme, historike, sipar, model dhe realizimi i një ËNDRRE UNIKE!”

Ajo që ngjall më shumë interes tani e tutje ka të bëjë me faktin, nëse shembullin e basketbollit do ta ndjekin apo jo edhe sportet e tjera. Shumë është folur për një aktivitet të përbashkët edhe për futbollin e sporte të tjera, por basketbolli ka vepruar i pari, duke zyrtarizuar këtë marrëveshje historike, që është përshëndetur menjëherë nga tifozët kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë