Politike

Marrëveshja Kosovë-Serbi, Rama: Shpresoj të mos jetë dredhi ballkanike!

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi arritjen e marrëveshjes së dakordësuar Kosovë-Serbi duke "shpresuar se djalli të mos fshihet në detaje".

Në rrjetet e tij sociale, Rama shkruan:

"Një pranverë mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit (shqiptarëve dhe serbëve)’. Kështu e ka quajtur marrëveshjen e arritur mbrëmë vonë nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç në bisedimet maratonë Kosovë-Serbi dje në Ohrit 

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër dredhi ballkanike! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit".

Më pas Rama ka uruar pjesëmarrësit në takimin e sotëm, me dëshirën që marrëveshja të nënshkruhet së shpejti e të bëhet realitet ri.

“Dhe le t'i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e nënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian,”- ka shkruar më tej kryeministri Edi Rama.

Për këtë marrëveshje ka reaguar dhe presidenti i vendit tonë, Bajram Begaj i cili e quan një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Europian.

"Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës. Ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian. Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falenderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme."- shkruan Begaj.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Borrell dhe Lajçak, dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Ehropian, ndërmjetësuan një takim maratonë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takim që mund të rezultojë një prej bisedave më frytdhënëse mes dy liderëve në të gjithë këto vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë