Media Galeri

Marka ukrainase për fustane nusërie që tashmë po qep jelekë ushtarak

Marka ukrainase e modës Milla Nova, e njohur për fustanet e saj të nusërisë, tani po prodhon veshje për ushtarët dhe punonjësit e mjekësisë së vendit, ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj brutal ndaj vendit.

Marka e cila ka butikë nusërie në 50 vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën, ka punuar gjatë dy javëve të fundit për të përmbushur porositë ndërkombëtare të veshjeve për luftë dhe për dasmë.

“Bashkë me lumturimin e nuseve në të gjithë botën, ne jemi të fokusuar të bëjmë edhe diçka për luftën”, tha Ulyana Kyrychuk, CEO i kompanisë, e cila është e vendosur të vazhdojë të mbajë biznesin pavarësisht sfidave të shumta serioze të luftës.

Duke punuar me rrjetin e saj të furnitorëve, marka ishte në gjendje të siguronte shpejt materialet e nevojshme për prodhim. Kyrychuk tha për CNN se ata kanë bërë tashmë 1500 artikuj.

Kyrychuk tha se ajo filloi të zbatonte një sërë planesh përpara pushtimit rus të Ukrainës dhe është e fokusuar në mbështetjen e stafit të saj, duke shpjeguar se çdo vendim që ajo ka marrë është “me njerëzit në mendje”.

Shumë persona po bëjnë udhëtime të gjata nëpër Lviv, ku është selia e kompanisë, për të arritur në fabrika, duke punuar jashtë orarit për të ndihmuar në prodhimin e veshjeve për të mbështetur përpjekjet e mbrojtjes së Ukrainës.

“Qëllimi im kryesor si CEO është të mbroj njerëzit dhe të siguroj të nesërmen e tyre”, tha ajo, duke shtuar se janë gjithashtu të gatshëm të pranojnë punonjës të rinj nga Ukraina lindore.

Milla Nova aktualisht ka 600 punëtorë. Atyre në Lviv iu dha mundësia të shkonin në Poloninë fqinje, ku u ngrit një fabrikë e improvizuar në Varshavë pas pushtimit. Deri më tani 70 punonjës janë evakuuar në kryeqytetin polak. Rreth 450 staf mbeten në Lviv, ndërsa të tjerët kanë bërë planet e tyre për të ikur në fshat ose jashtë Ukrainës. Me një fuqi punëtore prej 98% gra, shumë prej të cilave janë nëna, zhvendosja nga kompania ka përfshirë shumë fëmijë të vegjël.

Kyrychuk tha se ishte “shumë krenare” për ekipin e saj dhe “përkushtimin dhe besnikërinë e tyre të pabesueshme”, duke treguar rolin e rëndësishëm të grave në luftë, të cilat duhet të kujdesen dhe të mbrojnë, “të luten dhe të besojnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë