Mode

Marka e Victoria Beckham bëhet femërore

Victoria Beckham do t'i rikthehet fustaneve me të cilat nisi karrierën e saj të modës në një përpjekje për t'u rikthyer nga shitjet e humbura gjatë pandemisë.

Fustanet “VB Body”, me një thurje kompakte, të krijuar për të formuar trupin dhe për të theksuar format, do të hidhen në treg në prill, duke shënuar një largim nga siluetat e lirshme që janë bërë kryefjala e markës.

Beckham tha se ndryshimi kishte ardhur pasi kishte kaluar disa kohë në Florida, ku bashkëshorti i saj është i angazhuar me ekipin e futbollit Inter Miami.

“Në Florida u binda se të dukesh femërore dhe të tregosh format është shumë e rëndësishme për shumë femra”, thotë Beckham.

Marka luksoze e Beckham humbi 8.6 milion paund në 2020. Rezultatet ishin një përmirësim në krahasim me humbjet prej 16.8 milion paund të vitit 2019. Vitin e kaluar, çmimet mesatare në markë u ulën me 40% nga një zhvendosje drejt veshjeve të zakonshme dhe pëlhurave më të thjeshta, në një përpjekje për të zgjeruar bazën e klientëve.

"Ky është një projekt i madh dhe jam e lumtur që më në fund marka do të jetë në formën më të mirë që ka qenë ndonjëherë. Unë i vesh femrat për të dalë, për të shkuar në punë, për të udhëtuar, të gjitha gjërat që kanë qenë të kufizuara gjatë dy viteve të fundit, kështu që biznesi ka qenë një sfidë e vërtetë”, tha Beckham. “Mendoj se është koha për t'u rikthyer në normalitet, për të filluar të vishemi siç duhet dhe të kthehem sërish në jetë”.

Ajo tha se nuk do të ketë një shfaqje në pasarelë gjatë javës së modës (në shkurt) në Londër pasi është diçka që kërkon shumë punë dhe nuk janë gati.

Një shfaqje e planifikuar u anulua për shkak të izolimit në 2020 me një humbje të konsiderueshme për biznesin. Marka i bashkohet një liste në rritje të anulimeve me Giorgio Armani, Ann Demeulemeester, Brunello Cucinelli dhe JW Anderson që të gjithë shtynë shfaqjet e drejtpërdrejta ose do të kalojnë në një format dixhital.

Koleksioni i Beckham, i cili do të dalë në shitje në prill, sjell fustanë të gjatë që vënë në dukje belin dhe format, “për të festuar të qenit femër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë