Shendet

Maqedonia e Veriut do të blejë 100 mijë vaksina ruse Sputnik V

Maqedonia e Veriut ka vendosur që të blejë 100 mijë vaksina ruse kundër Covid-19, pas vendimit të mëhershëm për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze.

“Të shtunën mora informacion nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce se ne kemi kapacitet, në përputhje me marrëveshjet e përfunduara dhe ato të paguara, të porosisim 100,000 doza të vaksinave tjera që do të plotësonin planin e përgjithshëm, dhe nuk do të shkaktojnë vaksina të tepërta...Unë kam dhënë udhëzimet për furnizim me 100 mijë vaksina ruse. Gjithçka që ka të bëjë me vaksinat, ne kemi bërë punën tonë, porositë, kontratat...", tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

Vaksinimi antiCOVID në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 17 shkurt, me dërgesën e parë të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer si donacion nga Serbia.

Pjesa tjetër e tërë dërgesës prej 8,000 dozave nga Serbia pritet arrijë në Shkup javën e ardhshme. Kryeministri Zaev tha se deri në fund të këtij muaji qeveria pret përgjigje nga "Pfizer" për 800,000 dozat për të cilat janë zhvilluar bisedime me kompaninë amerikane.

Ndërkohë, 200,000 doza të vaksinave kineze pritet të mbërrijnë në fillim të muajit mars në këtë shtet.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë