Rend dhe Ligj

Manja mbështet Vettingun, por jo ndarjet krahinore: Krenar që jam malësor

Gazeta Si – Ulsi Manja është kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes sidomos për ato mbi ndarjet krahinore.

Duke mos përmendur emra, Ministri i Drejtësisë pohoi se është vetë malësor, por tha se nuk është dakord me termat fyes dhe denigrues, në lidhje me akuzat e prokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj ndaj anëtares së KPK-së Genta Bungo, me këtë të fundit që thuhet se ka cilësuar atë si “maloke”.

“Jam krenar që jam malësor,- u shpreh Manja.- Mbështes plotësisht punën e organeve të Vettingut, por nga ana tjetër jam kundër gjuhës së urrejtjes, përçarjes, përçmimit e aq më tepër racizmit. Më vjen mirë që Shqipëria ka një kuadër rregullator të plotë në lidhje me diskriminimin, ka dhe instrumentet e duhura për zbatimin e ligjit kundër diskriminimit”.

Debati mbi ndarjet krahinore, mori rrugë në një prej seancave të Elisabeta Imerajt në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Kryeprokurorja Imeraj citoi një mesazh që sipas saj, anëtarja e KPK-së, Genta Bungo e kishte cilësuar atë “maloke”, që duhej nxjerrë nga sistemi i drejtësisë.

Këtë të premte shumë qytetarë dolën një tubim para godinës së KPK-së tek Rruga e Kavajës. Veriorë e jugorë, të gjithë bashkë, e konsideruan fyerje.

Gjatë inspektimit të tij në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe, Manja u pyet edhe për legalizimin e kanabisit, një nismë e mbështetur nga kryeministri Rama.

Manja tha se nëse i shërben ekonomisë së vendit “përse të mos legalizohet për qëllime mjekësore”. Ministri njoftoi po ashtu masat e reja në burgje, ku hiqen kufizimet për lejet, përveç lejeve shpërblyese.

Sipas tij, me familjarët do të ketë takime normale, duke e zgjeruar dhe me persona të afërm sipas përcaktimeve. Do ketë edhe takime të veçanta dhe me fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë