Sot kanë marrë dozën e dytë mjekët dhe infermierët e parë që kanë bërë vaksinën anti-COVID, ndërsa do të vijohet me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Ministrja Manastirliu është shprehur se në javët në vijim do të vijnë fillimisht 10,000 dhe 30,000 doza dhe procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar dhe sapo të vijnë dozat e tjera do të niset edhe me të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial.
“Sigurisht që “Arena Kombëtare” është qendra e parë që ne kemi hapur për vaksinimin e përqendruar. Por gjithashtu do të shtrihemi edhe në territor me qendra të tjera të vaksinimit të përqendruar. Si edhe me vaksinimin kapilar në strukturat e qendrave shëndetësore, në momentin që do të kemi ardhjen e serive të tjera të vaksinave që pritet të vijnë qoftë nga Pfizer apo ashtu sikurse ju e dini do të kemi shumë shpejt të finalizuar një marrëveshje me AstraZeneca, për të marrë doza vaksine antiCOVID edhe nga kjo kompani”, tha Manastirliu.
Më tej Ministrja e Shëndetësisë ka shpjeguar në një komunikim me gazetarët se procesi do të vijojë edhe me mjekë dhe infermierë që vaksinohen për herë të parë, përpos vijimit me dozën e dytë të atyre që tashmë janë vaksinuar. Lidhur me përgatitjet për vaksinimin masiv, Manastirliu tha se ka vijuar punën për të bërë gati të gjithë bazën logjistike.
Manastirliu shtoi se tashmë kemi trajnuar jo vetëm ata që do të bëjnë vaksinat dhe mjekët që do të ndjekin procesin në Shkodër, në Vlorë, por gjithashtu edhe ata në të gjithë vendin.
“Ne kemi në sistemin tonë shëndetësor rreth 1000 vaksinatorë dhe ndihmës vaksinatorë, të cilët tashmë janë të gatshëm për t’u përfshirë në këtë proces në momentin që do të kemi një sasi të konsiderueshme të vaksinave. Nga ana tjetër jemi të gatshëm që të përfshijmë në strukturat e vaksinimit edhe infermierë të tjerë të cilët janë në kalendarizimin tone”, tha Manastirliu.
Duke folur për variantet e reja të COVID19, Ministrja e Shëndetësisë tha se ISHP, dërgon në mënyrë të vazhdueshme mostra të analizave, qoftë për mutacionet e reja që kanë dale, qoftë dhe për verifikimin dhe certifikimin që i duhet në vazhdimësi për punën e tyre.
Ky është një proces dinamik, deri më tani nuk kemi të identifikuar raste të varianteve të reja të Covid-19, por puna është duke vazhduar. Janë më shumë se 670 mjekë, infermierë që punojnë në spitalet Covid dhe personel në vijën e parë, të cilët janë vaksinuar deri tani,” tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.