Sociale

Manastirliu: 100 mjekë të specializuar i shtohen sistemit shëndetësor këtë muaj

Ministrja Manastirliu njoftoi shtimin me më shumë se 100 mjekë të stafeve të spitaleve.
“Janë më shumë se 100 mjekë që kanë përfunduar këtë vit ciklin e specializimeve, që do të atashohen pranë spitaleve tona të rretheve. Por janë edhe ata të cilët përfundojnë ciklin e specializimit, që tashmë janë të atashuar dhe po atashohen në spitalet e Tiranës, por edhe që kanë preferuar të qëndrojnë në spitalet ku ata kanë shërbyer në këtë 3-vjeçar”, tha Manastirliu.

Deklaratat Manastirliu i bëri nga Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT ku ditët e fundit është regjistruar një fluks i shtuar pacientësh. “Në këto ditë të nxehta kur po përballeni më një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për shërbim emergjent shëndetësor. Është një ekip prej më shumë se 23 mjekësh dhe 80 infermierësh që shërbejnë në këtë urgjencë, që padyshim ka një fluks jo të vogël”, tha Manastirliu.

LEXO EDHE:
- Debate për ikjen e mjekëve/ Vokshi: Nuk dini sa janë larguar; Manastirliu: Kthehen çdo ditë e më shumë
- “Hemorragjia” e mjekëve, Solis: Qeveria të hapë fakultet të dytë
- Shifrat tronditëse, si Gjermania po “zbraz” Ballkanin Perëndimor
- Si mund të frenohet “ikja e trurit” nga Shqipëria dhe Ballkani?


Ministrja Manastirliu u shpreh se mjekëve do t’u rriten pagat, duke filluar nga korriku. Ajo u shpreh se pavarësisht se QSUT është një kantier ndërtimi për shkak të disa rikonstruksioneve, shërbimi po vijon.

Deklaratat e Manastirliut për shtimin e mjekëve në sistemin publik shëndetësor vijnë ndërkohë që ikja e mjekëve ka disa vite që është problem në Shqipëri.

Në një studim të botuar kohët e fundit nga “Gallup” për ikjen e trurit, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi tregon se në Shqipëri 32% e qytetarëve duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë.
Të dhënat e Urdhrit të Mjekut flasin mesatarisht për 150 kërkesa në vit nga mjekët shqiptarë për t`u larguar drejt Gjermanisë, çka bën që në 4 vitet e fundit të jenë larguar të paktën 500 mjekë.

Për infermierët, ndërkohë, numri është më i lartë, pasi flitet për rreth 3000 të larguar, ndërkohë që diplomohen 2000.
Gjithashtu, më herët një studim i fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri, zbuloi se 78% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, për shkak të mungesës së seriozitetit në punë, pagave të ulëta dhe kushteve të vështira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë