Shendet

“Hemorragjia” e mjekëve, Solis: Qeveria të hapë fakultet të dytë

Sabina Veizaj- Ish Ministri i Shëndetësisë në dy mandate 1997-2001 dhe 2003-2005, mjek, e përshkruan si një tablo të zymtë sistemin shëndetësor shqiptar. Në një intervistë për Gazetën “Si” duke komentuar gjetjet e sondazhit të shoqatës “Together for Life” ku 78 % e mjekve të pyetur kanë aspirata për tu larguar jashtë vendit, Leonard Solis e shpjegon me pakënaqsinë e bluzave të bardha si rezultat i mungesës së kushteve për të të punuar. Solisi thotë se qeveria duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar situatën emergjente.

Ai i sugjeron qeverisë të rrisë pagat, buxhetin për shëndetësinë, të veçohet Ministria e Shëndetësisë nga ajo e Mirëqënies Sociale sepse po dëmtojnë rëndë njëra-tjetrën edhe për shkak të inkompetencës, të largohen ata qindra partiakë rastësorë që drejtojnë strukturat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë dhe të vendosen njerëz që ju dhemb shëndetësia.

Dhe gjithashtu ai sheh si të domosdoshme hapjen e një Fakulteti tjetër Mjekësie pranë strukturave spitalore terciare, aty ku kryhen operacionet më moderrne sot dhe ku aparaturat janë njëlloj si në Gjermani e Amerikë.

Shoqata “Together for Life” ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e dëshirës së tyre për tu larguar nga Shqipëria. Largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).Si e shpjegoni fenomenin?-

Leonard Solis

Jam njohur me studimin. Kjo materializon në shifra atë që ndihet në ajër prej kohësh. Qindra infermierë dhe  mjekë largohen çdo vit jashtë Shqipërisë, kryesisht drejt Gjermanisë. Është një kambanë alarmi që tregon se masat që duhet të marrim, duhet të jenë energjike, serioze me vizion afatgjatë dhe më e rëndësishmja larg përfitimeve partiake. Nuk ka shëndet të majtë apo të djathtë. Duhet të paktën për këtë çështje të jemi të gjithë të bashkuar.

Europa ka gjithsej 1, 8 milion mjekë të të gjitha specialiteteve. Numrin më të madh absolut e ka Gjermania me 330 mijë mjekë, në vendin e dytë është Italia me 230 mijë mjekë, Anglia me 182 mijë mjekë aktivë të rregjistruar me licencë që punojnë direkt me pacientin, Franca 210 mijë,  Spanja 179 mijë, Polonia 88 mijë mjekë, etj.  Përse ka kaq shumë kërkesa Europa Perëndimore? Nuk po lindin dhe nuk vdesin. Lindshmëria ka rënë në shifra të frikshme dhe jetëgjatësia është rritur deri në 83 vjeç.

Pas moshës 60 vjeçare kosto mjekësore e jetesës rritet shumë dhe sidomos 70 -80 vjeçarët kërkojnë shërbim më intensiv. Kjo rrit nevojat për mjekë dhe infermierë, sidomos në Geriartri.

Po ashtu, shumë mjekë nga Gjermania largohen drejt Zvicrës për një pagë më të lartë dhe drejt vendeve Nordike për kohët e reduktuara të punës, largohen mjekët perëndimorë edhe drejt Amerikës. Mjekësia nuk është degë shumë e kërkuar sot në botë. Të bëhesh mjek fillestar specialist kërkon të paktën 10 vjet studime intensive të mundimshme dhe përsëri do të duhen edhe disa vjet pune intensive e eksperiencë për tu bërë i pavarur. Ka sakrifica, mundime, netë pa gjumë, procese gjyqësore, sherre me familjarët e stres për shkak të nivelit kulturor të pacientëve e familjarëve të stresuar, netë të tëra pa gjumë duke bërë roje nëpër spitale. Mendoni që mosha mesatare e mjekëve në Itali është 55 vjeç dhe në Gjermani është 50 vjeç. Këta po e mbajnë sistemin në funksion. Por janë të lodhur dhe reduktojnë orët e punes, urgjencat, rojet...

Shumë mjekë devijojnë gjatë jetës në kompani Farmaceutike, NGO,  si menaxherë spitalesh apo punë të tjera që kërkojnë njohuri mjekësore, por jo të lidhura me pacientin direkt. Shumë të tjerë bëjnë karrierë politike dhe biznese që nuk kanë lidhje me mjekësinë në një fazë të caktuar të jetës.

Të gjitha këto ulin numrin e mjekëve aktivë që i shërbejnë pacientit direkt në të gjithë botën.

Kur kanë nisur efektet në vendin tonë?

Efektet  në vendin tonë kanë filluar prej disa vjetësh dhe ne renditemi me 1.1 ose 1.2 mjekë për çdo 1000 banorë  si vendi me më pak mjekë për frymë në rajon (3 mjekë/1000 banorë mesatarja), por edhe në Europë.

Dua të theksoj se largimi i mjekëve nuk është një fenomen puro shqiptar.  

Të gjitha vendet e Lindjes po e vuajnë këtë hemorragji masive. Qindra e mijra mjekë nga Rusia, Rumania, Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Lituania e Polonia ( që edhe pa u larguar e kishin numrin e ulët) po shkojne drejt Gjermanisë.

Dhe aktualisht kërkesat po rriten për mjekë në Angli që e ka ulur stekën e kërkesave së fundmi.

Sot kufijtë e Europës së bashkuar janë permeabël. Njerëzit janë të lirë të shkojnë ku është më mirë për ata, profesionin dhe të afërmit e tyre.

Studimi i kryer nuk ka marrë parasysh dëshirat dhe mundesitë sipas moshës, seksit e gjendjes civile.

Duan të largohen më shumë moshat e reja, që kanë mundësi ta fillojnë jetën së mbari, të trajnohen, të mësojnë gjuhën e vendit ku shkojnë dhe të përballojnë trajnimin, orët e gjata të rojeve, ngarkesën dhe punën në spitalet periferike të Gjermanisë apo shteteve të tjera.

Këta dhe mund të rikthehen pas një specializimi të kryer. Është tjetër gjë ta kryesh specializimin në Gjermani e Angli e tjetër këtu tek ne.

Po ashtu, pagesa fillestare për një mjek kur fillon është më e lartë se çdo fushë tjetër (49 mijë euro) në Gjermani, por edhe në vende të tjera. Një familje e re, që ka shumë pak shpresa për specializim këtu, por edhe për të ndërtuar një jetë për së mbari shkojnë në Gjermani.

Europa Perëndimore është një magnet shumë i fuqishëm për mjekët tanë dhe familjet e reja. Kjo nuk ndodh me moshat e mjekëve 50 vjeçarë që nuk mundet të zhvendosen si mjekë apo të fillojnë diçka të re. Po ashtu edhe mjekët që kanë eksperienca jo spitalore e që kanë kryer prej vitesh një punë rutinë si mjek familje nuk mund të lucidohen e ti futen detit në këmbë.

Janë këto kontigjente që po e mbajnë në këmbë sistemin tonë shëndetësor e që gropa e hapur do bëhet e dukshme pas jo më shume se pesë vjetësh.

Përsa i përket sistemit infermieror, ato e kanë shumë më të lehtë përshtatjen dhe fillojnë shpejt, sidomos në Geriartrik. Më të aftët fillojnë punë në spital e në sallat kirurgjikale pas provimit të gjuhës.

Çfarë  ka ndryshuar këto vite në  sistemin shëndetësor,  në  ekonominë  e vendit, apo klimën e përgjithshme që njerëzit, kryesisht mjekët shohin si alternativë të vetme largimin?

Në Shqipëri, por edhe në Europë ka një pabarazi të shërbimeve të ofruara sipas vendbanimit.

Kjo për shkak të pabarazisë së shpërndarjes së mjekëve në zonat rurale dhe lëvizjeve të fuqishme e të paplanifikuara demografike që kanë ndodhur në gjithë këto vite. Sot në fshatra gjysmë të braktisura shërbimi është kryesisht infermieror. Ka rrethe të tëra ku edhe në spital mungojnë specialitete kyçe si psh.  reanimatori që është zemra e kirurgjisë/gjinekologjisë/kardiologjisë, por edhe e shërbimit të një spitali intensiv.

Mungojnë specialistë si në fushën diagnostike dhe terapeutike.

E pafalshme që u nderprenë për vite e vite specializimet në Fakultetin e vetëm të Mjekësisë dhe nuk ju parapri këtyre mungesave që vijnë duke u rënduar. Në Europë raporti mjek ambulator me atë spitalor është 50 me 50 apo edhe më tepër në favor të mjekëve që punojnë në spitale. Në Shqipëri kemi prej vitesh një financim të ulët për shëndetësinë që tregon që asnjë Qeveri  nuk e ka marrë seriozisht shërbimin shëndetësor të popullatës.

Situata agravohet edhe më keq kur opinioni mbarset me urrejtje ndaj mjekëve e personelit shëndetesor. “Grupet armiqësore”, arrestimet e mjekëve publikisht me ceremoni për të kenaqur turmat që duan spektakël në vend të rregullimit të mekanizmave socio-ekonomike, populizmi i shëmtuar, paaftësia e Qeverisë për të thërritur ekspertë për të marrë masat e duhura, qerasjet e inkopetentëve me pozicione kyçe në Struktura drejtuese, të kujtojnë pasagjerët e Titanikut që luanin bixhoz para katastrofës.

Patronazhi në këtë situatë duket një përpjekje në drejtimin e duhur, por si një tualet fytyre e flokësh tek parukierja kur situata kërkon një kirurgji plastike e rikonstruktive e jo parukierë.

Drejtësia e alivanosur me pretekstin se po e kurojnë..... arreston mjekët si gjahun më të lehtë për të bërë spektakël.

Të gjitha këto lehtësojnë vendimmarrjen e atyre mjekëve që e kanë me mëdyshje a të largohen nga vendi apo ta ndërtojnë këtu të ardhmen e investimit të tyre.

Vihet re një prirje më e madhe e gjinisë femërore (84%) për t’u larguar nga vendi, krahasuar me gjininë mashkullore (74%). Pse?

Është e vërtetë që femrat ëndërrojnë më shumë se meshkujt dhe kjo është pozitive.  Edhe nga shumë vende të tjera përqindja e mjekëve femra që largoheshin drejt një të ardhme më të ndritur është më e madhe. Sidomos në shtetet balltike, ku dhe numri i mjekëve që ndjekin fakultetin e mjekësisë është shumë më i madh se meshkujt.

Cilët mund të jenë mekanizmat për tu parandaluar “eksodi i mjëkve”? Në  rast se sondazhi vërtetohet, cilat do të  ishin pasojat? Si zëvendësohet “hemorragjia” e mjekëve?

Shumë mjekë do të largohen, sidomos për specializime afatgjata. Shumë do të kthehen përsëri për ushtrim profesioni( por vetëm në spitale të medha ose private). Detyra e Shtetit është ta marrë seriozisht situatën e të parashikojë të ardhmen.

Duhet të përmirësohen kushtet e punës së mjekëve, të lidhet me mekanizma më mirë rezultati me shpërblimin, të vlerësohet figura e mjekut, fillimisht nga Shteti e Media.  Të ngrihen Komisione për studimin e identifikimin e problematikave që detyrojnë mjekët të largohen dhe të bëhet korrigjimi i tyre.

Duhet të rriten pagat dhe buxheti për shëndetësinë. Të veçohet Ministria e Shëndetësisë nga ajo e Mirëqënies Sociale sepse po dëmtojnë rëndë njëra-tjetrën edhe për shkak të inkompetencës.  Të largohen ata qindra partiakë rastësorë që drejtojnë strukturat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë dhe të vendosen njerëz që ju dhemb shëndetësia.

Detyrimisht duhet të hapet Fakultet tjetër Mjekësie pranë strukturave spitalore terciare aty ku kryhen operacionet më moderrne sot dhe ku aparaturat janë njëlloj si në Gjermani e Amerikë.

Rritja e numrit të studentëve mjekë dhe infermierë do të kompensojë ata që dalin çdo vit në pension, ata që largohen brenda e jashtë vendit. Largohen rreth 150 çdo vit, por kërkesat po rriten, dalin në pension 150 çdo vit dhe ka mungesa të theksuara të mjekëve specialistë dhe infermierëve në zonat jashtë Tiranë.

Mjekët nuk gënjehen me llafe ashtu si shumica e popullsisë që ha çdo premtim prej vitesh!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë