Ka ndodhur

Vrasje për xhelozi në Maliq, autorët e hodhën trupin në rezervuar dhe e inskenuan sikur u mbyt

Gazeta Si - I riu Martin Çeço, i cili u gjet i pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq, dyshohet se është vrarë.

Një shenjë e konstatuar në qafën e tij, ka ngritur dyshimet e grupit të hetimit, se në këtë ngjarje nuk kishin të bënin me një vetëvrasje, por me një vrasje.

Për të krijuar bindjen se Çeço, ishte mbytur në rezervuar, autorët janë kujdesur të lënë dhe shapkat e tij, buzë ujit të rezervuarit.

Sipas policisë, 26-vjeçari është dhunuar nga Bleti Angjo 38 vjeç, Valter Mollaj 43 vjeç dhe Edlir Mollaj 35 vjeç, të arrestuar tashmë.

Të tre, pasi e kanë vrarë, duke e mbytur me një litar, kanë hedhur trupin e pajetë në rezervuar, duke inskenuar një vetëvrasje.

Shkak dyshohet të jetë bërë një vajzë, me të cilën 26-vjeçari kishte lidhje. Sipas burimeve, vajza kishte krijuar një marrëdhënie paralele me viktimën dhe një nga autorët.

I riu komunokonte në rrjetet sociale me vajzën, gjë për të cilën është vënë në dijeni edhe një nga autorët.

Mësohet se ata i kanë kërkuar të riut që të ndërpriste lidhjen me të renë, por ai nuk ka pranuar.

Burimet bëjnë të ditur se edhe i ati e ka ditur për këtë marrëdhënie dhe i ka kërkuar djalit që të ndërpriste bisedën me vajzën.

Vetë motra i ka kërkuar babait të bënte denoncimin e zhdukjes së vëllait, ndërsa 26-vjeçari nuk kishte mbaruar as shkollën 9-vjeçare dhe as nuk dinte as të shkruante as të lexonte.

Viktima nuk lëvizte nga fshati i tij dhe merrej vetëm me prerjen e lëndëve drusore me babanë e tij. Vajza ka treguar në polici se kishte  ndërprerë një marëdhënie dashurie me Bleti Angjon,dhe më pas ishte lidhur me 26-vjeçarin Martin Çeço.

Por kjo situatë nuk i ka pëlqyer, Angjos, i cili ka filluar të kërcënojnë vajzën dhe më pas të dashurin e saj të ri, Martinin.

Por kjo situatë, është përshkallëzuar duke nisur një konflikt mes djemve. Dëshmia e vajzës mendohet se çoi në arrestimin e Edlir dhe Valter Mollaj dhe personit tjetër Bleti Angjo, i arrestuar dhe dënuar më parë për vjedhje.

Zhdukjen e Martinit, e denoncoi i ati në polici, ndërkohë që pas kërkimeve, trupi i pajetë i të riut u gjet të rezervuarin e fshatit Kolanec.

Motra e Viktimës, Katerina Ago, që jeton në Greqi, shprehet se tre ditë më parë kishte folur me të vëllanë dhe se ai i kishte rrëfyer se ishte i mërzitur, sepse po e kërcënojnë disa persona.

"Nuk më tregonte se me kë kishte konflikt dhe cilët ishin personat që e kërcënonin. Ishim në dijeni të lidhjes me një vajzë por nuk e njihnim, - tha ajo. - Edhe babait i kishte treguar që e kërcënonin disa persona, por arsyet dhe emrat e tyre nuk na i tregonte. Vëllai jetonte vetëm me babanë. Ky i fundit është në gjendjë të rëndë psikologjike në spitalin e Korçës".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë