Menaxhim

Makinat elektrike në Shqipëri përbëjnë vetëm 0.4% të totalit

makina elektrike

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, deri në muajin mars 2022 rezultojnë të regjistruara 2588 makina elektrike. Në këtë shifër përfshihen edhe automjetet që janë hibride, përzierje e energjisë elektrike dhe lëndëve të djegshme.

Nga një vit më herët, shifra është dyfishuar, pasi atëherë në Shqipëri lëviznin gjithsej 1.160 makina elektrike.

Ndërkohë që, në raport me numrin total prej 752.970 të mjeteve aktive në vend, këto mjete elektrike përbëjnë vetëm 0.4% të totalit.

Vendimi për rimbursimin e tarifave të regjistrimit për herë të parë për këto mjete u ndërmor nga DPSHTRR në nëntor të vitit 2019. Këtu përfshihen tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik. Si leja e qarkullimit, targat standarde dhe certifikata e pronësisë, me një vlerë totale prej 7.500 lekësh.

Kjo masë lehtësuese u risoll në vëmendje edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku një ditë më parë. Ajo kërkoi “braktisjen” e makinave me karburant dhe blerjen e automjeteve “green” nga ana e qytetarëve.

Bashkia e Tiranës ka disa vite që mundohet të realizojë planin e një transporti “të gjelbërt” nisur që nga përdorimi i autobusave hibridë që janë rreth 10 të tillë në linjën e Unazës. Kryebashkiaku Veliaj tha se parashikohet që deri në vitin 2030, autobusët e Tiranës të jenë larguar 100% nafta.

Gjithashtu, në kryeqytet ndodhen 6 pika karikimi për makinat elektrike. Posta Shqiptare posedon 12 mjete ekologjike, 6 nga të cilat janë totalisht elektrike. Ekzistojnë 15 kompani taksish, me mjete hidride dhe elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë