Lojëra me Dore

Majkëll Xhordan nervozon keq edhe Pipen, mikun e tij më të mirë

Shtohen dhe ashpërsohen polemikat pas transmetimit të dokumentarit “The Last Dance”, ku ish-ylli i basketbollit amerikan, Majkëll Xhordan, rrëfen historinë e dinastisë së Çikago Bulls. Pas Horas Grant, ka reaguar edhe Skoti Pipen, i cili njihet si “krahu i djathtë” i Xhordanit, një nga lojtarët më të mirë të skuadrës që i mahniste të gjithë në vitet ‘90.

Sipas David Kaplan, një nga analistët më të mirë të NBA-së dhe më të vlerësuar të “Espn Radio”, Pipen është nervozuar keq në lidhje me imazhin që ai shfaqet në këtë serial. Në episodin e dytë, Majkëll Xhordan e përkufizon “egoist” për faktin që e shtyu operacionin në kavilje para sezonit 1997-98, një vendim që në atë kohë kishte marrë vëmendje të madhe.

Pipen ishte në qendër të një beteje sa i takon rinovimit të kontratës dhe Çikago Bulls u detyruan të luanin dy muaj pa të. Dokumentari i referohet edhe njërës prej ndeshjeve finale të “Eastern Conference 1990”, ku Çikago humbi ndaj Pistons, ndërsa Pippen luajti me migrenë në atë kohë. Më parë Xhordan ka thënë se pa Pipen nuk do të kishte arritur asgjë, por përplasjet nuk mungojnë.

Të mërkurën ishte Grant që kritikoi Xhordanin, duke thënë se ai thotë atë që i pëlqen dhe, nëse ka diçka që duhet zgjidhur mes të dyve, duhet ta bëjnë si burrat. “Mund të diskutojmë dhe t’i sqarojmë gjërat. Përpara një telekamere ai ka thënë gënjeshtra, duke më akuzuar si spiun”, ka replikuar Grant. Me sa duket, dokumentari do të vazhdojë të prodhojë polemika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë