Ngjarje

Mafia italiane kontrollon bastet online, e përfshirë edhe Shqipëria

Një operacion i gjerë në Itali ka zbuluar kontrollin e familjeve mafioze italiane dhe organizatës kriminale “'Ndrangheta” mbi bastet online. Më shumë se 4.5 miliardë euro të qarkulluara nga ky aktivitet. Policia ka arrestuar 68 persona dhe ka sekuestruar rreth një miliard euro. Aktiviteti shtrihej në shumë vende jashtë Italisë, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Në këtë hetim janë angazhuar “Guardiadi Finanza”, policia italiane dhe DIA (Drejtoria e Investigimit Antimafia). Të përfshirë janë bosët e familjeve më të mëdha mafioze në Rexho Kalabria, të klaneve të Katanias dhe Puljas, por dhe sipërmarrës të akuzuar më parë për lidhje me mafien.

Baste për të pastruar para, që më pas investoheshin në sektorë të ndryshëm. “'Ndrangheta” është në krye të veprimtarisë, si gjithmonë, më pas mafia e Katanias dhe e Puljas, që kanë futur duart te bastet online. Ato janë prapa platformave të basteve, duke kontrolluar direkt ose indirekt baste që kapin shifrën e 4.5 miliardë eurove. Përkëtë aktivitet kanë përfunduar në pranga 68 persona, të akuzuar për pastrim dhe riciklim parash. Mafiozë, por edhe sipërmarrës të ndryshëm të lidhur me mafien, kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga bastet online. Organet kompetente kanë sekuestruar më shumë se 1 miliard euro, ndërkohë që hetimet vazhdojnë dhe janë shtrirë në gjithë Italinë.

Drejtoria Antimafia dhe Antiterrorizëm, e udhëhequr nga Prokurori Federiko Kafiero de Raho, ka arritur të zbulojë rrjetin, pas hetimeve të Prokurorive të Barit, Rexho Kalabrias dhe Katanias. Përfitimet ishin të jashtëzakonshme në Itali dhe jashtë saj, ku persona të ndryshëm përfaqësonin vetëm si emër kompanitë mafioze italiane. Për të rënë në gjurmët e kësaj pasurie të ardhur në mënyrë të jashtëligjshme ka qenë thelbësor bashkëpunimi me “Eurojust” dhe autoritetet gjyqësore të Austrisë, Zvicrës, Britanisë, Holandës, Belgjikës, Kuraçaos, Serbisë, Shqipërisë, Spanjës dhe Maltës.

Për të kuptuar si lëvizte mafia italiane në botën e basteve online kanë qenë shumë të rëndësishme deklaratat e një të penduari, një profesionist në fushën e basteve online, i cili ka punuar me klanet e Rexho Kalabrias, Katanias dhe Barit për zhvillimin dhe futjen në treg të platformave të ndryshme të këtij aktiviteti. Ai ka zbuluarse ku shtrihej dhe se cilat ishin frontet e reja të aktiviteti kriminal. Më pas organet kompetente kanë konfirmuar gjithçka me anë të përgjimeve. "Unë po kërkoj ndjekës të rinj në universitetet më të mira të botës dhe ti gjej katër budallenj rrugëve që bëjnë kështu: Bam, bam!", - thoshte në telefon një nga të ndaluarit. "Kurse unë po kërkoj ata që bëjnë kështu: Pin, pin! Ata që klikojnë! – vazhdon biseda, ndërsa bashkëbiseduesi qesh – ata që klikojnë në lëvizje. Eshtë gjithçka një çështje indeksi, e kuptove?" Klaneve mafioze u nevojiteshin njerëz që të kishin në shtëpi mjetet e nevojshme, kompjuterin, ku me anë të klikimeve fitoheshin miliona.

Prokurori Federiko Kafiero de Raho

“'Ndragheta, mafia kataneze dhe puljeze kanë administruar gjithçka bashkë. "Tani nuk ekziston më “'Nndrangheta”, një mafie siçiliane ose puljeze, janë organizata qënë akord të plotë mes tyre, administrojnë afera të ndryshme”, - shpjegon Prokurori Federiko Kafiero de Raho. "Nga këto raporte kemi një fotografi gjithmonë e më të qartë, të shohim se çfarë do të nxjerrin dhe hetimet që po vazhdojnë. Mbetet për t’u verifikuar, nëse ekziston një kabinë regjie stabël, apo aktiviteti shtrihet në territoret e interesuara herë pas here", - vazhdon ai. "Nga ky hetim kuptohet qartë se nga buron pasuria e këtyre organizatave kriminale. Të luftosh mafien, do të thotë t’u japësh punë personave të ndershëm.”

Për momentin nuk kanë dalë ende emrat konkretë të personave të përfshirë dhe mbetet për t’u parë, nëse do të ketë edhe shqiptarë të implikuar direkt. Por fakti që në këtë hetim ka pasur bashkëpunim edhe me organet e drejtësisë shqiptare, do të thotë se duhet të ketë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë