Gazeta Si - Ndërsa trupi i të vëllait rezulton ende i zhdukur, me dyshimin se është vrarë pas rrëmbimit në janar të vitit 2020, Ndrek Prenga, vëllai i Jan Prengës, ka dëshmuar këtë të premte në Gjykatën e Posaçme për procesin e hapur ndaj disa personave të përfshirë.
Ai ka treguar se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit.
Gjithashtu, ai ka dëshmuar në gjykatë se me vëllain e tij ka folur rreth një javë përpara se të ndodhte ngjarja.
LEXO EDHE:
- Ekskluzive nga garazhi i Hajrajve/ Hap pas hapi, 24 orët e rrëmbimit të Jan Prengës në foto
- Historia e një pengu/ U kthye për prindërit, por u zhduk për kokainën e vëllait
- Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, rifillon gjykimi për Dritan Rexhepin dhe 6 të akuzuar të tjerë
Ka qenë një tjetër i dënuar në burgun ku ai vuante dënimin që i ka futur në dhomë një telefon, me anë të të cilit e ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke iu prezantuar si Gentian Funiqi, ose Doçi.
Sipas Prengës, Funiqi është prezantuar në telefon si një person me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës, duke i thënë që: “Ma jep gjënë”.
Prenga thotë që i referohej një sasie prej 260 kilogramë kokainë. Gjatë dëshmisë ai shtoi se Gentiani i kishte thënë se ka tentuar të komunikojë edhe me vëllain Astritin, por nuk ka arritur. Pas këtij momenti, Ndrek Prenga i është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.
Ndreka sqaron se ka marrë në telefon Astritin, por edhe ky i fundit i është përgjigjur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur.
Pas një apo dy ditësh është njoftuar nga bashkëshortja se Jan Prenga është marrë peng dhe se pas kësaj, është përpjekur të merrte vesh se çfarë ka ndodhur.
Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë”, duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun.
Prenga thotë se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Doçit, ku atje kanë gjetur babain e tij. Ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij.
Prenga shton se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin, i ka shkruar një tjetër person, duke iu prezantuar si Gramoz, ku edhe ai pretendohet se kokaina e marrë nga Astrit Prenga është e tij.
Dyshimet janë se nën emrin Gramoz, bëhet fjalë për Dritan Rexhepin, i arrestuar një vit më parë në Turqi, i akuzuar si organizatori dhe porositësi i rrëmbimit të Jan Prengës.
Sipas dëshmisë së Ndrek Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin “Golden Resort” në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.
Në shtator të këtij viti, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Altin Hajrit, kreut të grupit kriminal që vepronte në Shijak.
Hajri akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020. Gjykimi i tij pritet të bëhet në mungesë, pasi deri më tani ai nuk është mundur të gjendet nga autoritetet.
Ndërkohë, gjykimi për grupin kriminal është ndarë në disa pjesë. Më herët gjykata ka dënuar me burg përjetë Festim Bexhdilin, ndërkohë që ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz për shkak se i vëllai i tij dyshohet se kishte vjedhur një sasi droge në Angli.
Për shkak të dhunës së ushtruar në automjetin tip “Range Rover”, ai mendohet se humbi jetën rrugës për në një resort në Shijak, aty ku shikohet i pajetë për herë të fundit në pamjet e kamerave të sigurisë. Pavarësisht kërkimeve të policisë, deri më sot trupi i pajetë i Prengës nuk është gjetur ende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.