Njerez

Lypësi poshtë kullës

Nga Mentor Kasa – Ulur mes dy betoniereve që po shkarkonin ngarkesat e radhës në kullën që po ngrihet përbri Skënderbeut, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, njërën dorë e mbante vazhdimisht të zgjatur në kërkim të lëmoshës me mëngët përveshur.

I padukshëm nga kalimtarët, disa prej të cilëve e shmangnin duke ngritur sytë lart nga vinçi që ngjasonte sikur derdhte beton në qiell.

Mes borive të makinave që nuk pushonin prej trafikut të rënduar, mua më tërhoqi vëmendjen ajo dora thatanike e shtrirë për ndihmë.

Nuk m’u duk si gjithë “të tjerët” që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Tiranës. Bjond dhe jo “aq palarë”, diçka më thosh se ishte i ri në këtë “zanat”…dhe ashtu ishte. Djaloshi, jo më shumë se 12-13 vjeç e kishte ditën e parë “të punës”.

Ishte i ndrojtur dhe sytë nuk i shkulte nga pllakat e trotuarit, as kur në trikon që kishte shtruar, edhe për t’u ulur, i hidhnin monedhat me të cilat mund të shuante sadopak urinë.

Lashë edhe unë monedhën time, por me “hilen” mos po mësoj më shumë për të. Përveçse më tha ashtu me kokën ulur, se nuk kishte lypur asnjëherë më parë, asnjë fjalë tjetër nuk nxorri nga goja, as kokën s’e ngriti.

Qëndrova pak sekonda, që m’u dukën më të gjata se zakonisht, deri kur kuptova se po e bezdisja me praninë time dhe…ndoshta po i prishja punë.

U largova me shumë pyetje dhe me kokën ulur, ashtu si lypësi. Çfarë e kishte nxjerrë atje? A ka familje? Ku jeton? Ku fle? A kishte ngrënë? Çfarë e ardhme e pret? etj, etj…

Të gjitha përgjigjet për këto pyetje që më bluajtën dhe më bluajnë mua edhe gjatë shkrimit të kësaj historie i kishte ai në kokë dhe ashtu me gjuhën lidhur dhe sytë në tokë, përgjigjet i mbajti vetëm për vete.

Unë vazhdoj të pyes çfarë e ardhme e pret? A e sheh atë me sytë në tokë, në atë trotuar buzë rrugës që gumëzhinte njëkohësisht nga njerëz, makina e betoniere?

Pyes po sikur të ngrinte kokën e të shihte vinçin që i kish zënë qiellin, çfarë të ardhmje do të shihte? A do ta shihte atë të mbushur me betoniere e kulla?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë