Ngjarje

Lul Caka sërish në kërkim, arrestohen dy zyrtarë të burgut të Lushnjes

Pas lajmit ekskluziv të publikuar nga gazeta “Si” një ditë më parë për lirimin e Lulzim Cakajt, Ministria e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke nisur një hetim ndaj këtij vendimit të burgut të Lushnjes. Në përfundim të këtij hetimi, sipas Ministrisë, njeriu i njohur si “tmerri i Beratit” u lirua pas përllogaritjes gabim të kohës së dënimit nga ana e zyrtarëve të burgut. Për këtë arsye, veç arrestimit të drejtorit dhe kartelistit të këtij burgu, kërkoi edhe revokimin e vendimit për lirimin e të dënuarit.

“Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka. Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj tha se në bazë të këtyre përfundimeve është kryer arrestimi i Judmir Shurdhit, drejtor i burgut të Lushnjes dhe Llazar Minos, me detyrë kartelist po në këtë burg. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentave.

Ministrja Gjonaj shtoi se ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve dhe prokurorisë së Elbasanit, ku janë referuar akuzat ndaj tyre i është kërkuar edhe revokimi i lirimit Lulzim Cakës dhe shpalljen e tij në kërkim për ta rikthyer që të kryejë pjesën e mbetur të dënimit.

Lulzim Caka

Sipas përllogaritjes të grupit hetimor të Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Caka është liruar 4 muaj e 22 ditë para kohe.

Lajmi për lirimin e Lulzim Cakës u dha mëngjesin e të hënës nga Gazeta "Si". Me përjashtim të drejtuesve të burgut të Fushë-Kosovës dhe vetë Cakës, asnjë tjetër nuk ishte në dijeni të lirimit të atij që ishte konsideruar si një ndër personat më të rrezikshëm në vitet 1997-2000. Burime të sigurta njoftuan ekskluzivisht gazetën “Si” ditën e hënë se Lul Caka ka lënë burgun e Fushë-Kosovës në orën 10.00. Ai është një nga njerëzit më të lakuar të periudhës më të vështirë para, gjatë dhe pas 1997-s, atëherë kur bandat kriminale dolën në skenë.

Caka sfidoi drejtësinë për vite me radhë, pasi arrestohej dhe lirohej për mungesë provash. Ai i shpëtoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së mirë, por edhe ping-pongut që bënë një sërë gjykatash, mes të cilave rrugën drejt lirisë ia hapi Gjykata e Lartë për rishikim vendimi, më tej edhe Gjykata Kushtetuese dhe për ta vulosur këtë fakt edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Lulzim Caka u soll në Shqipëri me një marrëveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003 dhe pas 16 viteve burgim tashmë konsiderohen të shlyera 25 vitet e dënimit, për një ngjarje në të cilën ai akuzohet se sulmoi postbllokun e policisë, duke tentuar të vrasë dy zyrtarë policie, Gani Malushin dhe Ilir Ngresin, të cilët më pas u vranë në ngjarje të tjera. Njëri u ekzekutua nga miku i Lul Cakës , Kastriot Jaupaj dhe tjetri u vra në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë