Lajme

Lul Berisha zbaton vendimin e gjykatës, paraqitet në Shërbimin e provës

Lulzim Berisha, personi që ngriti në këmbë policinë dy ditë më parë, ku i bastisi shtëpinë në kërkim të sendeve të kundraligjshme, është paraqitur ditën e sotme në Shërbimin e Provës në Durrës.

Ndonëse u tha se Lul Berisha mund të ishte larguar bashkë me familjen në një vend të BE-së, ai, me sa duket, paska qenë në Durrës.

Aktualisht, ai po kryen pjesën e mbetur të dënimit në liri me kusht dhe të dielën prokuroria ushtroi kontrollin e banesës. Vetë Berisha nuk ka qenë në banesë dhe mendohej se kishte udhëtuar jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi 44 urdhërarreste si dhe urdhëroi 100 kontrolle banesash të personave të dyshuar për implikim në trafiqe që janë përmendur gjatë përgjimeve.

Për disa prej tyre ka pasur informacion nga homologët, dhe konkretisht Gjermania.

Një nga personat banesa e të cilit u kontrollua të dielën, ishte ajo e Lulzim Berishës.

Pse u kontrollua banesa

Mësohet se emri i Berishës ka dalë gjatë përgjimeve ku Avdylajt e shihnin si një mundësi për trafikimin e lëndës narkotike, e cila përpunohej në laboratorin e Hasit dhe shpërndahej për në vendet e BE-së.

Largimi i një pakoje me sasi të konsiderueshme droge, nga laboratori i Hasit ka ngjallur dyshime se ajo mund të ishte në banesën e Berishës, por më pas ka rezultuar se nuk ishte e vërtetë.

Megjithatë, sasia e larguar pak orë para kontrollit nuk ka rënë në duart e policisë dhe nuk dihet kush ka qenë destinacioni apo personi që e ka marrë përsipër transportin.

Po kush është Lul Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend.

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë