Dosje

Lul Berisha ka frikë nga Spanja se i rrezikohet jeta: Mos më ekstradoni në Shqipëri!

Gazeta Si - Një nga personat më të kërkuar të drejtësisë, Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë në dhjetor 2023, ka kërkuar të mos ekstradohet në Shqipëri.

I akuzuar se kishte planifikuar dhe urdhëruar vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdein Lames në vitin 2005 në dy sulme, Berisha i ka kërkuar Gjykatës Kombëtare Spanjolle këtë të martë që të mos e dorëzojë atë në vendin e tij për t’u gjykuar.

Sipas mediave spanjolle, ai ka frikë për jetën e tij, sepse pret një hakmarrje të mundshme për veprimet e tij të kaluara.

Kështu u shpreh në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes së tij në seancën e ekstradimit, në të cilën Prokuroria ka kërkuar dorëzimin e tij në mënyrë që Shqipëria ta gjykojë për ato dy sulme, por jo që të vuajë një dënim mbi 6 vjet.

Lul Berisha këmbënguli se ai ka frikë për jetën pas kthimit në Shqipëri, sepse siç pretendon ndaj tij janë realizuar 4 atentate.

Mbrojtja

Në raportin e saj, mbrojtja ka kundërshtuar ekstradimin dhe është ndalur te “kaosi” me të cilin Shqipëria ka bërë kërkesën për ekstradim.

Avokati i kreut të Bandës së Durrësit i ka kujtuar Gjykatës se ka raporte të policisë që tregojnë se ai mund të jetë objekt hakmarrjeje për ngjarjet e së kaluarës.

“I hodhën granatë, donin ta vrisnin, i vunë bomba... Shtëpia e tij është goditur me antitank dhe atëherë ka pësuar lëndime në trup”.

Ndërkohë, Lul Berisha, i cili ka kërkuar azil në Spanjë, e ka përshkruar veten si një sipërmarrës. Ai ka treguar se familjes së tij i është dashur të strehohet në Suedi nga frika e hakmarrjes. 52-vjeçari po ashtu ka treguar se lirinë e ka përfituar pjesërisht nga një ligj amnistie i miratuar në Shqipëri dhe se Prokuroria shqiptare ka kërkuar mbylljen e hetimeve në lidhje me sulmin me bombë në ashensor për të cilin akuzohej.

Prokuroria në Spanjë

Prokurorja e çështjes në Spanjë ka vënë në dukje se në lidhje me kërkesën për t’u mos ekstraduar për shkak të rrezikut për jetën, i është dorëzuar nga pala mbrojtëse vetëm një dokument i vitit 2015 që aludon për këtë rrezik, por që vlen vetëm për jashtë burgut.

“Kemi kuptuar se nuk ka frikë racionale në rastin kur lihet në duart e organeve të shtetit kërkues. Lidhur me hakmarrjen e mundshme të pretenduar nga mbrojtja, kjo mundësi është një ndjenjë e zakonshme njerëzore në shumicën e kulturave, por është kontradiktore që ai ta pretendojë këtë dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar largimin e tij të parakohshëm nga burgu”.

Akuzat në Shqipëri

Lul Berisha ishte një nga emrat më të njohur të botës së krimit që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ai u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Alicante të Spanjës.

Ndaj Lulzim Berishës, rëndojnë një sërë akuzash. Në vitin 2012, ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në korrik 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, në dhjetor 2016.

Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.

Për të SPAK ngre akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.

Por pak ditë para arrestimit, SPAK kërkoi pushimin e hetimeve ndaj tij dhe Plaurent Dervishaj për këtë çështje, pasi nuk provohej se ishte i përfshirë.

Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë