Ana e errët

Luftë për tunelin e ushtrisë, fqinji i pret dritat

Një sherr për pak metra tokë ka degjeneruar në konflikte të ashpra midis dy fqinjëve, të cilët presin që problemin e tyre mos ta zgjidhë gjykata, por ta zgjidhë policia.


74-vjeçari me iniciale F.T sipas policisë së Vorës denoncoi se komshiu në të njëjtën moshë me të, i ka prerë energjinë elektrike, duke këputur sipas tij një kabull të vendosur tek prona e tij. I moshuari tregon se disponon një ullishtë dhe se sakaq ka marrë nën përdorim një tunel nga Ministria e Mbrojtjes.


“Jetoj në fshatin Sakosë dhe tek ish-reparti i tankeve kam marrë nën përdorim një tunel nga ministria e mbrojtjes. Kam bërë lidhje të energjisë, konform rregullave duke lidhur kontrate me OSHEE. Kam vendosur matës të energjisë elektrike dhe mbarova instalimet elektrike, edhe brenda në tunel. Por njëri nga punëtorët më mori në telefon dhe më tha se kabulli ishte hedhur përtokë”, shprehet pranë policisë i moshuari.


Gazetasi.al mëson se nga ky hetim rezulton se i moshuari i ka kryer personalisht hetimet private, duke drejtuar gishtin tek një fshatar i zonës që pretendon se tokën e ka të babait të tij dhe se nuk i takon palës tjetër.

“Dyshoj te ky shtetas, se e pretendon tunelin e ushtrisë dhe tokën. Me këtë shtetas kam pasur konflikte, ka tentuar të na shtypë me makinë në një rast. Ka tentuar të na qëllojë me armë gjahu dhe këtë e ka bërë në formë presioni ndaj tim biri”,thotë i moshuari.


Policia i thotë Gazetasi.al se nxitoi drejt tunelit të ushtrisë ku edhe kreu veprimet kriminalistike
“Në tunel vërejtëm se në kolonën e betonit ishte i instaluar një matës me mbishkrimin OSHEE. Në këtë matës të energjisë shikohet që del një kabull me ngjyrë gri, gati një metër dhe më tej është prerë”, thonë oficerët e policisë.

Duke dëgjuar dyshimet e të moshuarit policia mori në pyetje fshatarin tjetër, i cili sikundër pritej mohoi autorsinë, por jo konfliktin për tokën.

“Shtetasin në fjalë e njoh, konflikti ynë ka 15 vite që ka nisur dhe të dy pretendojmë të njëjtën gjë tokën. Nuk kam asnjë pretendim për tunelin pasi ai është i shtetit dhe i ushtrisë. Kam kohë që nuk kam kaluar andej nga tuneli sepse nuk më bie rruga dhe kam pasur punë fshati. Kam qenë në polici disa herë dhe akoma nuk kam gjetur zgjidhje. Nuk e kam idenë se kush e ka prerë kabullin. Jam i sigurt me përgjegjësi të plotë që nuk jam unë autori”, këmbëngul në polici i moshuari A.R.


Por policia e bindur se mund të ishte një inat fshatarësh ka kërkuar alibinë e të moshuarit dhe dëshmitarët.

“Po mund t’ua them se ku kam qenë. Kam qenë duke qethur delet, më pas kam prerë bar në kullota dhe më pas shkova në Marikaj, takova djalin tek një karburant dhe më pas fjeta në shtëpinë time. Sot në mëngjes dola dhe u nisa për të shitur qumështin në Marikaj”,- mbyll dëshminë e tij i moshuari.
Policia nuk shpjegon dot nëse ka apo jo dijeni bujku mbi energjinë elektrike, por shton se ka pyetur fshatarët që sqarojnë se e kanë parë, duke qethur delet e më pas duke korrur bar. Hetimi për shkatërrim prone sipas policisë vazhdon ende pa autor pasi nuk gjet në vendngjarje asnjë gjurmë papilare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë