Gazeta Si – Një 40-vjeçar, Aleks Marku, ka qëlluar me armë zjarri nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur ndaj trupave të RENEA-s dhe pas disa orësh negociatash forcat speciale hynë në banesë dhe liruan fëmijët.
Gjithçka ka ndodhur një ditë pasi bashkëshortja e tij iku për të qëndruar disa ditë në Itali, ndërsa Marku mori dy fëmijët e mitur dhe shkoi nga Lezha në Durrës për pushime, por duke marrë me vete edhe kallashnikovin.
Kjo është pista kryesore e hetimit nga policia, ndërsa sipas burimeve, Marku ka ushtruar dhunë në familje dhe se gruaja e tij ka pasur urdhër mbrojtje nga policia e Lezhës.
Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit bën me dije se RENEA ka prangosur autorin dhe ka sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov.
Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore nga Marku, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.
Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të policisë.
RENEA i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit. Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA” dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të saj, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e 40-vjeçarit, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.
Mësohet se gruaja e tij kishte bërë denoncimin në polici të Lezhës 2 herë për dhunë, por nuk ishte paraqitur në gjykatë për urdhër mbrojtjeje, pasi i kishin zgjidhur vetë mosmarreveshjet mes tyre.
Ndërkohë, sipas dëshmisë së gruas, burri i saj Aleks Marku kishte qenë i arrestuar dhe në itali për dhunë në familje dhe armëbajtje pa leje dhe kishte thyer arrestin e shtëpisë dhe kishte ardhur në Shqipëri. Ata kishin një banesë në Lezhë, por nuk jetonin këtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.