Nga Gazeta 'SI' - Dobësimi i euros detyroi Bankën e Shqipërisë të rriste blerjet e euros në treg.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, BSH katërfishoi blerjet e valutës, duke tërhequr një shumë prej 137.6 mln euro. Në tremujorin paraardhës ishin blerë vetëm 32.6 mln euro.
Autoriteti thotë se përveç ankandeve ka pasur edhe blerje të tjera me qëllim “përmbushjen e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar”.
Duke pasur parasysh mbiçmimin e fortë të lekut, Banka njofton se për të njëjtën periudhë, prill-qershor ka kryer injektime mesatare ditore në treg prej 44.55 mld lekësh nga 22.7 mld gjatë tremujorit paraardhës. Në prill euro këmbehej me rreth 102 lekë dhe në fund të qershorit me 100 lekë.
Banka thotë se mungesa e shpenzimeve nga ana e qeverisë ka krijuar nevojën për të rritur injektimet, pasi tregu kishte mungesë të likuiditetit dhe ndërkohë po rritej paraja në qarkullim.
Lëvizjet e BSH-s kanë ndodhur gjatë kohës kur euro sapo kishte nisur të dobësohej, por kishte dhënë efektet e para në treg dhe biznes.
Blerja e eurove dhe injektimi i lekëve janë të vetmet mekanizma që Banka e Shqipërisë mund të përdorë për stabilizimin e kursit, duke mos cënuar lirinë e tregut. Ndërhyrje të tjera të BSH-së në kursin valutor “do të hidhnin në erë ekonominë”, është shprehur më herët Guvernatori Gent Sejko.
Duke pranuar se kursi është diktuar edhe nga paraja informale, Sejko i bëri thirrje qeverisë nga foltorja e Kuvendit se “Banka e Shqipërisë do ta ketë të pamundur të mbajë një stabilitet në kurs”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.