Analize

Si lufta franko-gjermane dërgoi Haradinajn për herë të dytë në Hagë

Ramush Haradinaj ishte shtetari i parë që iu dorëzua Gjykatës së Hagës. Dhe jo një, por dy herë. Atëherë, ashtu si edhe tani, presioni i madh europian ishte në përgjithësi për arritjen e një marrëveshjeje dhe në veçanti për heqjen e taksës 100% mbi mallrat serbe që hynin në Kosovë. Gazeta “Si” po ju risjell një analizë të sajën të korrikut 2019 që, të paktën në kontekstin e raporteve Kosovë-Europë, të bën të mendosh dhe të heqësh vija paralele me situatën sot: Ngritjen e aktakuzës ndaj njeriut të parë të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi

Gazeta "Si", 20 korrik 2019 - Si një rrufe në qiell të hapur u cilësua nga disa vendimi ekstrem i Ramush Haradinajt për dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës. Lajmin e largimit fillimisht e dha në një mbledhje të qeverisë mes ministrash. Arsyeja e këtij akti ishte thirrja që po i bëhet për të dëshmuar sërish në Gjykatën Speciale të Hagës. Por kjo ishte arsyeja zyrtare që Haradinaj po ndërmerrte këtë hap, ndërsa vetë në deklarata publike do të linte të nënkuptonte se ky hap u hodh edhe për faktin se presione të vazhdueshme kishte ndaj tij, për shkak të kundërshtisë për ndarjen e Kosovës apo dhe mosheqjes së taksës doganore për mallrat serbe.

Haradinaj i përlotur gjatë konferencës së djeshme

“Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika (ndarja e Bosnjës) janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mos unitet. Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut. Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, ishte deklarata e fundit e Haradinajt nga selia e qeverisë, ku u shfaq edhe i përlotur.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë për Kosovën u zgjodh për herë të dytë si kryeministër falë koalicionit të partisë së tij me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismës për Kosovën, por edhe Aleancës Kosova e Re, Listës Serbe dhe partitë e tjera të minoriteteve. Ky koalicion i brishtë numrash do të sillte menjëherë përplasjet dhe me të fortat do të ishin ato kur Haradinaj u shpall kundër ndarjes së Kosovës dhe mosheqjes së taksës ndaj Serbisë. Konflikti do të ishte menjëherë mes tij dhe presidentit Thaçi se kush do të merrte drejtimin e bisedimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvilloheshin nën patronazhin e Komisioneres së Lartë për Zgjerimin, Federicha Mogherini.

Thaçi, Mogherini dhe Vuçiç gjatë bisedimeve të mëparshhme


Pikërisht teza e mbështetur fort nga Thaçi dhe Vuçiç se ka një plan të SHBA-së fillimisht dhe të BE-së për arritur një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia me kushtin që të bëhej dhe rishikimi i kufijve, do të ishte beteja e më e fortë e Haradinajt në kohë paqeje. Një plan përflitej fillimisht që territoret shqiptare të Luginës së Preshevës të kalonin shtetit më të ri të Ballkanit, dhe disa zona veriore të Kosovës do t’i kalonin Serbisë, si Mitrovica Veriore, Zubin-Potoku etj. “Sot është konfirmuar që nga pala kosovare nuk do të pranohet të negociohet për kufijtë. E kemi thënë edhe ne, por e tha edhe Presidenti Thaçi që nuk do të ketë negocim për territorin, kjo është me rëndësi”, do të deklaronte Haradinaj në gusht të vitit 2018.
Pavarësisht kësaj, Thaçi do të insistonte se nuk do të kishte ndarje të Kosovës, por korrigjim të kufijve. “Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”, pat thënë Hashim Thaçi.

Pak më herët beteja e Haradinajt kishte qenë ajo se kush duhet ta drejtonte dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, presidenti apo kryeministri. Kjo u bë objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, e cila i dha të drejtën që ta drejtonte kryeministri si drejtuesi i qeverisë. Kjo do të ishte fitorja e parë e Haradinajt, por vetëm një betejë, pasi përplasja e radhës do të ishte në arenën ndërkombëtare. Për mosndarjen apo rishikimin e kufijve të Kosovës, Haradinaj do të kishte mbështetjen e Gjermanisë, e cila doli kundër planit për ndarjen e saj, ndërsa Franca nuk ishte kundër këtij fakti, duke u shprehur e hapur për shkëmbimin e territoreve. Ndërkaq SHBA-ja kërkonte që të kishte një marrëveshje me mirëkuptimi mes palëve.


Vendosja e taksës dhe Samiti i Berlinit
Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës dhe përpjekjeve të saj të vazhdueshme kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro mall për në Serbi.

Ky vendim do të shkaktonte menjëherë reagimin e Beogradit, ku presidenti Aleksandar Vuçiç do të shprehej se do t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë. Ndërsa faktori ndërkombëtar do të reagonte duke i kërkuar kryeministrit Haradinaj që të shikonte qëndrimin mbi vendosjen e taksës, pasi kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet mes vendeve dhe në lëvizjen e lirë të mallrave. Vendosmëria e Haradinajt do të ishte jo me pak kosto, pasi ndërkombëtarët nisën menjëherë presionin duke ia bërë të qartë se nëse nuk hiqet taksa kjo do të bllokonte vendimin për liberalizimin e vizave me BE-në. E gjithë beteja do të zhvendosej në Samitin franko-gjerman të Berlinit, që u mblodh me iniciativë të presidentin Emmanuel Macron dhe kancelares Angela Merkel. Dy udhëheqësit me peshë në BE kërkuan haptazi që Kosova të heqë taksën me Serbinë në këmbim të marrjes së vizave.

Macron dhe Merkel në Samitin e Berlinit me liderët e Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë

Negociatat u zhvilluan dhe në takimet informale presioni më i madh ishte ndaj Haradinajt, presion që nuk mungonte jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga vetë kryeministri Edi Rama (të paktën sipas Haradinajt). Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç do të deklaronte më pas se gjatë Samitit të Berlinit, kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt i është kërkuar heqja e taksës ndaj Serbisë. Kjo, sipas tij, i është kërkuar në këmbim që të merrej liberalizimi i vizave për kosovarët. Ai tha se Haradinaj ka nënvlerësuar kancelaren Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron gjatë Samitit të Berlinit.

“Ata (Merkel dhe Macron) në një moment i thanë hiqeni taksën dhe ne do të sigurohemi që të hiqen vizat. Haradinaj u përgjigj: Kush do të na garantojë atë’, tha për një televizion serb, Daçiç. Haradinaj nuk do të tërhiqej nga qëndrimi i tij dhe kjo do të bënte që samit i Berlinit të cilësohej si i dështuar, BE-ja të hakmerrej me mos dhënien e vendimit për liberalizimin e vizave. Por kjo nuk do të mjaftonte, pasi Merkel dhe Macron do të nisnin betejën tjetër; atë që të kërkonin zgjidhje të reja për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, që do të pasohej me heqjen e taksës së Kosovës. Tashmë gjetja e një zgjidhjeje ndikonte dhe të fakti i mbajtjes së Samitit të Parisit të paralajmëruar nga Merkel dhe Macron, i cili u parashikua që të mbahej më 1 korrik, por që nga kjo përplasje e fortë, u shty pa afat.

Negociatat mes Macron dhe Merkel me Haradinajn dhe palën serbe gjatë samitit të Berlinit


Haradinaj do të thirrej në një takim zyrtar në Berlin, ku kancelarja Merkel do t’i premtonte atij, sipas medieve, se nëse merrte vendimin për heqjen e taksës doganore do të liberalizoheshin vizat. Pikërisht ky takim do të vendoste siç duket edhe fatin politik të Haradinajt, pasi Merkel më 19 korrik në një konferencë për shtyp do të shprehej se "jemi duke gjetur disa mënyra për të gjetur dialogun mes Serbisë dhe Kosovës". “Kam biseduar për këtë çështje me kryeministrin Ramush Haradinaj, kam folur me presidentin Hashim Thaçi e po ashtu edhe me presidenin serb Aleksandar Vuçiç, por ende nuk ka progres dhe të reja rreth dialogut”, është shprehur ajo. Ndërsa për kërkesën për kompromis të presidentit Macron, Haradinaj tha se "për Kosovën, një nga opsionet e këtij kompromisi mund të jetë heqja e taksës në shkëmbim të njohjes nga Serbia".

Kancelarja Angel Merkel në konferencë për shtyp


Ndërsa pohoi se rreth hapjes së një rruge për rinisje dialogu tashmë kanë ofruar edhe një takim në Paris. "Rreth arritjes së një zgjidhje kemi ofruar edhe mundësi për takimin e Parisit dhe jemi ende duke punuar që kjo të ndodhë. Dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të ketë një perspektivë për të mirën e të dyja palëve", do të shprehej Zonja e Hekurt.


“Kompromis është nëse e heqim taksën në shkëmbim të njohjes. Pra, nuk është se nuk bëjmë kompromis… i madh është si kompromis. Edhe mund të jetë për shembull kompromis kjo: heqja e taksës - vendosja e marrëdhënieve tjera tregtare. Ndërsa, ajo që ka kërkuar Kosova është shumë bazike. Ne kemi kërkuar një kornizë-marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me elementet përcjellëse. Kjo kornizë-marrëveshjeje duhet të jetë korniza për të cilën ne negociojmë dhe s’ka tjetër pos asaj që paraqitet. Hezitimi është se Serbia ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë nuk mund t’ia vëmë emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, theksoi ajo.

Vuçiç dhe Macron


Ndërkaq Macron do të vizitonte zyrtarisht Serbinë, duke qenë presidenti i parë i Francës që viziton këtë shtet ballkanik. Ky hap ishte një sinjal i qartë për Kosovën se Franca po mbante anën e Serbisë më shumë se pro heqjes së barrierave mes shteteve dhe kjo u vu re edhe me nënshkrimin e disave marrëveshjeve, 15 të tilla, që ishin ekonomike apo dhe në aspektin ushtrak.


Por pavarësisht kësaj Haradinaj do të deklaronte përpara se të ikte nga qeveria, se Kosova nuk ka pse të ulet me Serbinë në tavolinë “pa një kornizë-marrëveshjeje që e ka emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues”. Ai u shpreh optimist se roli Francës në këtë mes mund ta ndryshojë situatën.
“Mendoj që po rritet roli i Francës dhe presidentit Macron dhe e mirëpres këtë rol dhe mendoj se ky angazhim mund ta kthejë Serbinë në tavolinë edhe pa u hequr taksa”, tha Haradinaj.
Presidenti Macron nga Beogradi do të deklaronte se nuk ka zgjidhje magjike dhe askush nuk e ka zgjidhjen në xhep. Por siç duket, zgjidhja magjike erdhi me çuarjen në Hagë të Haradinajt, i cili u zhvesh për herë të dytë nga posti i kryeministrit, për t’u përballur sërish me akuzat për krimet e luftës.


Kjo është hera e dytë që Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai u lragua nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij, për krime lufte. Procesi kundër Haradinajt filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Haradinaj u rikthye në rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte. Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm. Tani ai është zyrtari më i lartë i thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri më tani janë ftuar dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj në Tribunalin e Hagës

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë të Gjykatës Ndërkombëtare. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Europës, Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet nxitën reagime dhe protesta në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë